Krerët më të lartë të shtetit dhe politikës kanë reaguar ashpër pas vrasjes së efektivit të ‘Shqiponjave’ Enea Mekolli 34 vjeç dhe plagosjes së kolegut të tij Edison Adri 36 vjeç në Lozhan të Maliqit.

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar dënimin maksimal për autorin, Violand Braçellari 43 vjeç. Nderim përjetë dëshmorit të atdheut thotë kreu i qeverisë duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe uruar shërim të shpejtë efektivit tjetër të plagosur.

“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur  zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli! Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër  Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj”, shkruan ndër të tjera Rama.

Presidenti Begaj shpreh solidaritet më të lartë në emër të shtetit shqiptar duke kërkuar mbështetje masive për policinë e shtetit në mbrojtje të rendit dhe sigurisë.

“Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë. Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik”, tha presidenti Begaj.

Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit shkruan në reagim Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

“Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit”, shkroi ai.

Në nder të policit të rënë në krye të detyrës, u mbajt edhe një minutë heshtje në Kuvend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:28
Vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ në Maliq dhe plagosja e kolegut, Balla: Enea Mekolli dëshmor i atdheut, përulemi përpara sakrificës së tij

 

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka kërkuar mbajtjen e 1 minutë heshtje për rënien në krye të detyrës së efektivit të policisë së shtetit Enea Mekolli gjatë një operacioni sot në Lozhan dhe plagosjen e kolegut të tij, Edison Adri.

“Gjatë një operacioni të vështirë për kapjen e një personi shumë të kërkuar, i cili prej vitesh i ishte fshehur forcave të policisë në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte mundur t’u shpëtonte rrethimeve, ka rënë në krye të detyrës efektivi i Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër koleg i tij është plagosur. Autori, pasi ka hapur zjarr, ka mbetur i plagosur dhe është vënë në pranga nga policia.

Rëndësia e detyrës që mban uniforma e policisë duhet ta bëjë shoqërinë të reflektojë ndaj respektit për punonjësit e policisë. Policia i shërben dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve. Policia e Shtetit ka derdhur gjak në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit; kush ngre dorë ndaj Policisë së Shtetit ka ngritur dorë kundër shtetit.

Qëndrojmë sot me respekt dhe mirënjohje para sakrificës së dëshmorit të atdheut Enea Mekolli. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe po ashtu urojmë për shërim sa më të shpejtë për efektivin e plagosur. Drejtësia duhet të veprojë me forcë dhe dënim maksimal ndaj autorit, ndërsa mirënjohja dhe respekti ynë shkon për Policinë e Shtetit që përballet me rrezikun në shërbim të qytetarëve.

Në emër të PS kërkojmë mbajtjen e 1 minutë heshtje në nderim të kujtimit të efektivit të Policisë së Shtetit Enea Mekolli, i rënë në krye të detyrës dhe i sapo shpallur dëshmor i atdheut”, tha Balla.

Ora 10:18
Vrasja e efektivit në Maliq, Bardhi: Dënim maksimal për autorin

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar për vrasjen e efektivit në Maliq të Korçës dhe plagosjen e një tjetri. Ai thotë se e dënon aktin dhe beson te dënimi maksimal i autorit.

“I tronditur nga vrasja e një punonjësi të Policisë së Shtetit në krye të detyrës dhe plagosjes së kolegut të tij. Dënoj me forcë aktin dhe besoj plotësisht që autori do të marrë dënimin maksimal dhe të merituar. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqëve dhe kolegëve të punonjësit të Policisë të rënë në krye të detyrës dhe uroj me zemër shërim sa më të shpejtë për kolegun e tij të plagosur”, shkruan Bardhi.

Ora 09:53
Vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ dhe plagosja e kolegut, reagon Begaj: Policia e Shtetit nuk zmbrapset, do e kthejë dhimbjen në forcë për të luftuar krimin

1777982947_bajrambegaj.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për vrasjen e efektivit të ‘Shqiponjave’ Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij  Edison Adri në Lozhan të Maliqit.

Begaj i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimës dhe i uron shërim të shpejtë të plagosurit ndërsa shton se Policia e Shtetit, do e kthejë këtë dhimbje në forcë për të luftuar krimin në çdo skutë.

“Bashkohem thellësisht më dhembjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri.

I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta!

I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!

Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë.

Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik”, tha presidenti Begaj.

Ora 09:46
Vrasja e policit në Maliq, Lamallari: Autori do përballet me forcën e ligjit, asnjë shans t’i shpëtojë drejtësisë

1779265038_besfortlamallari.jpg

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar pas vrasjes së policit në Maliq.

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.

Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij. Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund”, shkruan Lamallari.