Në shenjë të ndikimit të madh të El Menchos në të gjithë Meksikën, si edhe në pjesë të tjera të Amerikës Latine, vrasja e tij shkaktoi menjëherë shpërthim trazirash në rajonin që ai kontrollonte.

Sipas raportimeve të mediave, të dielën në mesditë bllokada të vendosura nga “narco”-t, me makina, autobusë dhe kamionë të djegur, në të paktën pesë qytete të Meksikës: Jalisco, Guanajuato, Nayarit, Michoacán dhe Tamaulipas.

Pamjet pas vrasjes së El Menchos treguan re të mëdha tymi që ngriheshin në qiell mbi Puerto Vallarta, një qytet i madh turistik në bregun perëndimor të Meksikës, i njohur për plazhet spektakolare në Oqeanin Paqësor.

Pati skena kaosi në kryeqytetin e Jaliscos, Guadalajara, një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës 2026 ku pasagjerë të frikësuar vraponin për t’u strehuar, duke pasur frikë nga sulme hakmarrëse të përkrahësve të El Menchos. Burra të armatosur u panë duke u vënë flakën automjeteve në zemër të qytetit.

Guvernatori i shtetit Jalisco, Pablo Lemus Navarro, u bëri thirrje 8 milionë qytetarëve të qëndronin në shtëpi “derisa situata të vihej nën kontroll”. Lemus njoftoi pezullimin e shërbimeve të transportit publik dhe u kërkoi banorëve të mos qarkullonin në rrugët e shtetit për shkak të “ngjarjeve të dhunshme” që ishin përhapur në të paktën pesë pjesë të vendit.

Ambasada e SHBA-ve në Mexico City lëshoi gjithashtu një alarm sigurie, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të “qëndrojnë të strehuar” në zonat e prekura për shkak të “operacioneve të vazhdueshme të sigurisë, bllokimeve të rrugëve dhe aktivitetit kriminal”.


Lajmi kryesor:

Vritet në Meksikë “El Mencho” i shumëkërkuari numër një mes narkotrafikantëve! DEA ofronte 15 milionë dollarë për kapjen e tij