Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas vrasjes së punonjësit të OSHEE në Shkodër. Zamir Velaj humbi jetën pasi u qëllua me thikë nga një person, pasi i preu dritat për shkak të borxhit që autori kishte ndaj OSHEE.
 
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili deklaroi se drejtësia duhet të veprojë me shpejtësi dhe të japë ndëshkim shembullor për autorin.  
 
"Ngushëllime familjes së Zamir Velajt elektricistit që humbi jetën në krye të detyrës. Ky është një krim i shëmtuar që meriton një dënimin më të rreptë. Drejtësia të veprojë me shpejtësi. Mbështetje e plotë çdo punonjësi të shtetit që kryen me përkushtim detyrën dhe respekton e zbaton ligjin. Të merren nga shteti masa të gjithanshme për mbrojtjen e punonjësve gjatë ushtrimit të detyrës shtetërore", thuhet në reagimin e Petrit Vasilit. 

55-vjeçari Zamir Velaj me detyrë punonjës i OSHEE-së në Shkodër, mbetur i vdekur dy ditë më parë nga goditjet me thikë të Martin Zefit, 47 vjeç banues në Oblikë të Anës së Malit në Shkodër.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com