Babai i Elton Mermalit, i cili u vra nga Artan Tafani me porosi të Laert Haxhiut, po dëshmon në GJKKO. Kreu i bandës kriminale të Lushnjes ishte i bindur se Mermali, i njohur edhe si “Kinezi”, kishte gisht në vrasjen e djalit të xhaxhait të tij.
Kujtim Mermali dëshmon se i biri doli një natë para ngjarjes dhe nuk u kthye më kurrë në shtëpi. Fillimisht ishte lajmëruar vajza e madhe prej së cilës e mori vesh edhe familja që Eltoni ishte vrarë. Babai thotë se nuk ka asnjë ide se kush mund ta ketë kryer dhe as nëse ka lidhje me vrasjen e Artan Sulçes e Bledar Haxhiut në 1997, kohë gjatë së cilës Mermali ndodhej në Shqipëri. Në bindjen e tij, nëse i biri do të kishte gisht, haku do të ishte marrë asokohe.
Kujtim Mermali thotë se djali s’i ka përmendur asnjëherë nëse ka qenë i kërcënuar apo të frikësohej. Për Laert Haxhiun thotë se ka ngrënë në shtëpinë e tij ku edhe është strehuar kur i ati e rrihte.
Pas daljes nga burgu në maj 2021, shton ai, Elton Mermali kishte ndërruar emrin në Alban Semaku.
Kujtim Mermali: Elton Mermalin e kam djalë. Një natë para ngjarjes, ditën e shtunë në darkë doli dhe nuk u kthye më në shtëpi. U njoftuam për vrasjen e djalit, kishin gjetur trupin. Fillimisht e çuam në Peqin, më pas në morgun e Elbasanit. Policia kishte lajmëruar vajzën e madhe që jeton në Itali, ajo më mori mua në telefon. Ika nga puna, shkova në morg , mora trupin e djalit dhe e solla në shtëpi. Motivet nuk i dija fare. Unë nuk vë dot gishtin se kush e ka bërë, sepse nuk e di. Eltoni ishte fëmija im i dytë, nuk punonte. Pasi bëri burgun, nuk ishte në terezi dhe nuk punonte. Se për çfarë u fut në burg, nuk e di. Djali është arrestuar në 2004 në Itali, fillimisht. Ndenji 2 muaj në burg, mbas gjyqit e kanë nxjerrë ne arrest shtëpie për dy vite. Gabimi i tij që theu arrestin e shtëpisë dhe pastaj e sollën këtu. E arrestuan atje sepse akuzohej për vrasje këtu në Shqipëri. Për vrasjen e Artan Sulçes. Në 1997 djali ka qenë në Shqipëri. Në dijeninë time djali nuk ka qenë i përfshirë, sepse do merrej haku që në atë kohë, siç u mor për të gjithë. Djali ka qenë i akuzuar bashkë me grupin e Aldo Bares. Laert Haxhiun e njoh shumë mirë, sepse hante bukë në shtëpinë time. E kam strehuar kur e rrihte i ati. Nuk di të them nëse vrasja e djalit tim është kryer për motive hakmarrje për shkak të vrasjes së Artan Sulçes e Bledar Haxhiut në 1997. Djali im nuk i ruhej askujt. Doli nga burgu i Peqinit në 6 maj 2021, në 17 tetor 2021 u vra. Kur doli nga burgu djali nuk ishte mirë, nuk e mora vesh se kush i fuste lëndë narkotike brenda burgut. Në shtëpi nuk pinte ndonjëherë lëndë narkotike. Sjellja e djalit në raport me mua ishte shumë e mirë, nuk ishte agresiv. Nuk më përmendi asnjëherë nëse kërcënohej nga dikush në burg, apo se me kë e ndau qelinë. Djali njihej me pseudonimin “Kinezi” sepse ka patur sytë e vegjël, kështu i thërrisnin që i vogël. Kur doli nga burgu, shkoi në gjendje civile ndërroi emrin, e bëri Alban Semaku. Artan Tafani do t’i gjente punë djalit kur ta takonte. Kështu më ka thënë djali.
Sipas dëshmisë së dhënë nga Artan Tafani në gjykatë qershorin e vitit të kaluar, Laert Haxhiu u kishte thënë se do t'u sillnin Elton Mermalin, të cilin e përshkroi si ish-anëtar të bandës së Aldo Bares dhe përdorues droge.
Tafani tha se bashkë me Lulëzim Arapin u nisën për në Lushnje dhe merrnin gjithë kohës udhëzime nga kreu i bandës. Pasi e gjeti Mermalin pranë shtëpisë së tij, i tha që ta shoqëronte dhe të merrnin “mallin” te Arapi, duke gënjyer se e kishin fshehur në ferra.
Aty Tafani qëlloi Mermalin me një plumb dhe dy të tjerë Arapi. Në largim e sipër, ky i fundit u vetëplagos aksidentalisht, ndërsa i penduari i drejtësisë dëshmoi se rrugës hodhi karikatorin, silenciatorin dhe armën në vende të ndryshme.
Lajm në përditësim...
Komente









