Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO për Xhulian Hoxhën dhe Euglen Halili, të cilët janë dënuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në Elbasan në vitin 2020.

Për Hoxhën, Apeli i GJKKO vendosi më 8 prill 2024, dënimin me burgim të përjetshëm për Xhulian Hoxhën, ndërsa 16 vite burg për Halilin, i cili gëzon edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Vendimi i Apelitë të Posaçëm erdhi pas ankimit të SPAK, të dënimeve që dha Shkalla e Parë. Organi i akuzës kishte kërkuar 30 vite burg për Hoxhën dhe 12 vite për Halilin lidhur me kryerjen e dy vrasjeve, ngjarje këto që dyshohet se janë sponsorizuar nga Erjon Alibej.

Vrasja e Emiljano Ramazanit ndodhi më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan dhe ajo Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të të njëjtit qytet. 

Vrasja e Emiljano Ramazanit, i njohur me nofkën ‘Rramani’, dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën, pasi ai njihej si shpërndarës kokainë në qytet, ndërsa pak ditë pas ekzekutimit, u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë, dhe më pas trupi i tij është hedhur buzë rrugës afër varrezave të qytetit.