Pas rreth dy muajsh në arrati, Marjaldo Nela, i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj, është vetëdorëzuar në polici.
Pas paraqitjes së tij, ai është ndaluar dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë për vijimin e procedurave hetimore.
Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi mbrëmjen e 21 prillit në qendër të Memaliajt. Sipas Prokurorisë, gjithçka nisi nga një konflikti të çastit mes 7 personave që nuk ishin pjesë e asnjë grupi rival. Në sherr më pas ndërhynë edhe Dali Nela, vjehrri i tij Aldo Kalemi dhe persona të tjerë.
Në kulmin e konfliktit, Endri Goxhaj nxori një pistoletë dhe qëlloi katër herë në drejtim të Dali Nelës, duke e lënë të plagosur.
Kur panë Dali Nelën të rrëzuar në tokë, dy vëllezërit e tij, Donaldo dhe Marjaldo Nela, sipas prokurorisë, nxorën armët dhe qëlluan në drejtim të Endri Goxhajt. Si pasojë e të shtënave, 30-vjeçari humbi jetën në vend. Sipas hetuesve, pamjet filmike tregojnë se Goxhaj nuk arriti të reagonte me armë në momentin kur u qëllua nga dy vëllezërit.
Pas të shtënave, Donaldo dhe Marjaldo Nela morën me automjet vëllanë e tyre të plagosur dhe e transportuan me urgjencë në Spitalin e Gjirokastrës. Më pas u larguan dhe u shpallën në kërkim nga policia si autorët e dyshuar të vrasjes.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Gjirokastrës vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Dali Nelën, Aldo Kalemin dhe Ermal Matajn. Ky i fundit akuzohet për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës", pasi dyshohet se ka fshehur armën me të cilën është qëlluar ndaj Goxhajt.
Me vetëdorëzimin e Marjaldo Nelës, një prej personave të shpallur në kërkim pas krimit, hetimet pritet të vijojnë me marrjen në pyetje të tij për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Në kërkim mbetet ende vëllai i tij, Donaldo Nela.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente



