SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO Safet Bajrin, Behar Bajrin (Rustemi), Astmer Bilalin dhe Eria Agon, të dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër në gusht të vitit 2018. Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit.
Kurse Eria Ago akuzohet se ka drejtuar një prej makinave të përdorura gjatë kësaj ngjarje. Motivi i vrasjes së Licit sipas SPAK, lidhet me dyshimin e Behar Bajrit se Ibrahim Lici, kishte vrarë një pjesëtar të grupit të tyre, ish-policin Boran Bërçana më 15 korrik të vitit të 2018, i cili u ekzekutua në makinë bashkë me partneren Silvi Ndoci, ndërsa fëmija 3-vjeçar shpëtoi.
SPAK thotë se hetimet lidhen me disa ngjarje të ndodhur në vitin 2018 dhe se rezulton e provuar se mes të pandehurve dhe familjes Lici ka pasur konflikte të hershme, të lidhura kryesisht me kontrollin e territorit të qytetit të shoqëruara me ngjarje kriminale. Pas vrasjes së Boran Bërcana dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci në korrik të vitit 2018 në Shkodër, Behar Bajri, në bashkëpunim me Safet Bajri dhe Astmer Bilalin kanë organizuar dhe vrarë në shenjë hakmarrjeje xhaxhain e Ibrahim Licit, Fatbardh Licin.
Safet Bajri dhe Bilali, duke përdorur një mjet Benz të vjedhur, janë afruar në lokalin e të vëllait të Fatbardh Licit, ku ai po pinte kafen, dhe e kanë qëlluar. Ndaj tij ka qëlluar Astmer Bilali. Pas vrasjes, Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Bilali është larguar drejt Tiranës me Eria Agon, ish- e dashura e Safet Bajrit, që SPAK e akuzon për përkrahje të autorit të krimit.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 112/2019 në ngarkim të të pandehurve:
Behar Brajoviq – I akuzuar për kryerjen e veprave penale;“Vrasje me paramendim” kryer për hakmarrje në dëm të viktimës Fatbardh Lici, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” kryer në formë të vecantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 278/1 e 28/4; 333a/1 dhe 334/1/2 të Kodit Penal;
Safet Rustemi, i akuzuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer për hakmarrje në dëm të viktimës Fatbardh Lici, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” kryer në formë të vecantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 278/1 e 28/4; 333a/2 dhe 334/1/2 të Kodit Penal;
Astmer Bilali, i akuzuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer për hakmarrje në dëm të viktimës Fatbardh Lici, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”; “Mbajtje pa leje të armëve luftarake” kryer në formë të vecantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 278/1 e 28/4; 333a/2 dhe 334/1/2 të Kodit Penal;
Eria Ago, e akuzuar për kryerjen e veprës penale; “Përkrahja e autorit të krimit” e kryer në lidhje me veprën penale 333/a të këtij Kodi parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Rrethanat e ngjarjes
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve hetimore dërguar për moskompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ka regjistruar procedimin penal nr. 112 të vitit 2019 në lidhje me veprat penale, “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim”,“Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje prodhimi armëve lëndëve shpërthyese e municionit” dhe ”Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 78-25, 79/ë-25, 109-25, 197, 278, 279 dhe 333/a i K.Penal.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi lidhen me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018. Nga tërësia e provave të grumbulluara rezulton e provuar se mes të pandehurve dhe familjes Lici, kanë ekzistuar konflikte të hershme, të lidhura kryesisht me kontrollin e territorit të qytetit të Shkodrës, të shoqëruara me ngjarje kriminale.
Pas vrasjes së shtetasve, Boran Bërcana dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci (të njohur të të pandehurve) në korrik të vitit 2018, në Shkodër, i pandehur Behar Brajoviq, ia ka atribuar këtë vrasje, shtetasit Ibrahim Lici, nipit të shtetasit, Fatbardh Lici.
Në dinamikë të këtyre ngjarjeve të ndodhura, i pandehuri Behar Brajoviq, në bashkëpunim të vecantë me të pandehurit, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë organizuar dhe vrarë në datën 10.8.2018, në Shkodër, shtetasin Fatbardh Lici, xhaxhain e shtetasit, Ibrahim Lici. Ekzekutori i drejtpërdrejtë ka qënë i pandehuri Astmer Bilali.
Të pandehurit Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë përdorur një mjet të vjedhur të markës, Benz ngjyrë gri me targa AA 760FX, i cili rezulton i vjedhur. Ata janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit, Sokol Lici, ku çdo ditë pothuajse në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen, vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici, xhaxhai i Ibrahimit. Viktima ka qenë i ulur jashtë lokalit dhe pasi automjeti është afruar pranë tij, nga dera e pasagjerit ka zbritur i pandehuri Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur.
Më pas mjeti është larguar në drejtim të zonës së Dobraçit, ka hyrë në njërën nga kthesat ku ndodhej banesa e të pandehurit Safet Rustemi dhe më pas është kthyer duke u larguar. Mjeti është djegur po në zonën e Dobraçit. Pasi personat kanë kryer vrasjen, i pandehuri Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa i pandehuri Astmer Bilali është larguar menjëherë drejt Tiranës, së bashku me të pandehurën Eria Ago, e cila rezulton të ketë përkrahur autorët pas kryerjes së vrasjes.
Komente








