Tre javë pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja, Gjon Shkambi u rikthye sërish në skenën e krimit, por kësaj here për të kërkuar lirinë. Gjykata e Apelit me relator Genti Shalën, refuzoi ta lironte, duke lënë në fuqi masën e shkallës së parë, “arrest në burg”.

Ekzekutori i gjyqtarit, nip i Gjon Shkambit, nuk iu bashkua xhaxhait të tij në kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë, ndërsa në burg u la roja i sigurisë i Gjykatës, Banush Koxhaj, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Burime bëjnë me dije se gjatë seancës me dyer të mbyllura, Gjon Shkambi ka deklaruar se po ta dinte se ç’do të bënte nipi i tij, do ta kishte parandaluar.

 “I shpreh ngushëllime familjes së gjyqtarit kalaja dhe kolegëve të tij. Nuk kam patur dijeni që nipi im të ketë patur armë, ta dija do e kisha parandaluar. Unë kam konflikte me vëllezërit e mi ndaj ma kanë vënë pas nëpër gjyqe nipin tim Elvisin pasi dyshonin se u bëja dredhira. Nuk kam pasur ndërmend t’i zgjidhja me dhunë këto gjëra pasi kam 30 vjet që kam zgjedhur rrugën gjyqësore. Nëse do kisha zgjedhur dhunën, do ta kisha bërë më përpara”.

Pala e akuzës ka vlerësuar se ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, siç ka rezultuar nga pamjet e kamerave të sigurisë. Nga ana tjetër avokatja e rojës ka kërkuar lirinë e klientit të saj, me argumentin se ishte i patrajnuar dhe përveç kësaj, ishte sëmurë.

Më 6 tetor, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë në sallën e gjyqit, nga Elvis Shkambi, ku mbetën të plagosur edhe babë e bir nga pala kundërshtare Ragip dhe Ervis Kurti. Gjithçka ndodhi më 6 tetor, kur Elvis Shkambi bashkë me xhaxhin e tij Gjonin po prisnin një vendim, mes të shumtëve në sagën e proceseve gjyqësore, sa i takon konfliktit që kishin me 31 familje për çështje pronësie. Familja Shkambi kishte përfituar një pronë si ish pronar që në vitet ’90 por strehimi i 31 familjeve në të njëjtën godinë nisi konfliktin gjyqësor që zgjat prej 3 dekadash.

Njoftimi i plotë:

Në gjykatën e Apelit, sot u gjykua çështja penale (masë sigurimi) që i përket ngjarjes së ndodhur me datë 06.10.2025, rreth orës 15:40, ku në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K dhe shtetasve R. K dhe E. K, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën gjyqtari A. K dhe janë plagosur shtetasit R. K dhe E. K.

Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:

- personit nën hetim me iniciale E. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes së funksionarëve publikë”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”,  parashikuar nga nenet 79/a, 79 germa “ç”, 25, 22  dhe 278/1 të Kodit Penal.

 - personit nën hetim me iniciale Gj. Sh, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 germa “ç”, 25, 22 i Kodit Penal.

-personit nën hetim me iniciale B. K, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

 Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2774 Regj, datë 09.10.2025, ka vendosur:

1. Pranimin e kërkesave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

2. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim E. Sh.

3. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim E. Sh, atë të "Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

4. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Gj. Sh.

5. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim Gj. Sh, atë të "Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

6. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim B. K.

7. Të caktojë si masë sigurimi personal, ndaj personit nën hetim B. K, atë të "Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

8. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga personat nën hetim me iniciale Gj. Sh dhe B.K, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.10.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Genti Shala, vendosi:

- Miratimin e vendimit nr .2774 Regj, datë 09.10.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë