Kamber Sulçaj po udhëtonte me makinë drejt stanit në pronësi të tij kur ka rreth 100 lopë, mes Nivicës dhe Bolenës, jo shumë larg vendit të ngjarjes, ku vrau sipërmarrësin italian Edoardo Sarchi te Qafa e Dilanit.

Rrugës u shkëmbye me tjetër makinë me të cilën po lëvizte Gazmend Braçi, me një mik bari të zonës. Mes tij dhe Sulçajt fillimisht nisi një debat për të ulur dritat e gjata të makinës, pasi i dyshuari e akuzoi se po e verbonte. 48-vjeçari nga fshati Mesaplik i Vlorës nuk kurseu sharje dhe fyerje që vijuan për disa minuta në drejtim të Gazmend Braçit. Por ky i fundit, zgjodhi të largohet, dhe të niset drejt shtëpisë së pushimit në fshatin Salari. Vlonjati s’u mjaftua me aq dhe e ndoqi nga pas derisa makina që Braçi po lëvizte, e cila ishtë në pronësi të një bariu të zonës, mbeti në rrugë pasi i mbaroi karburanti.

Në këtë moment, burime nga policia, thonë se Gazmendi telefonoi babanë e tij, Eqerem Braçin, të cilit i kërkoi të shkonte t’i merrte. Eqerem Braçi u nis me 2 makina, bashkë me italianin 44-vjeçar Edoardo Sarchi, me të cilin ndodhej në shtëpinë e fshatit. Sapo arritën pranë Gazmendit që ecte në këmbë, në drejtim të dy makinave u qëllua me armë, moment kur një plumb rikoshet me asfaltin në rrugë preku italianin në arterien kryesore në këmbë. Për disa minuta, Kamber Sulçaj nuk i la të lëvizin, pasi vijoi të qëllojë në drejtim të tyre.  Në momentin kur është bërë telefonata në polici për ndihmë, ende dëgjoheshin të shtënat e armës nga i dyshuari, të cilat mësohet se janë regjistruar në dallën operative, dhe janë sekuestruar si provë materiale.

I dyshuari më tej u largua dhe braktisi makinën në një zonë të thellë, pranë një stani ku u gjetën dhe dylbi, por jo arma e krimit.  Anëtarët e familjes Braçi i lidhën plagën italianit, por për shkak se humbi gjak, nuk ia doli. Plumbi në këmbën e tij ishte nga një pushkë me vjaska me dylbi nate që përdoret për gjuetinë e derrave, pasi siç raportohet edhe Sulçaj dilte për gjueti në atë gjueti në atë zonë.

Sipas burimeve, për shkak të dëshmive kontradiktore të dëshmitarëve në ngjarje, 2 persona krejt të rastësisht që kaluan në ato momente në zonë me motorçikletë, ishin kyç për të zbuluar të dyshuarin. Ata treguan se për shkak të errësirës nuk arritën t’i shohin se cilët ishin personat, por dalluan makinën e bardhë me karroceri të autorit dhe shquan targat e saj. I njëjti përshkrim, përputhej me automjetin e fiksuar nga pamjet e disa kamerave të sigurisë të disa banesave në distancë.

I dyshuari në kërkim Kamber Sulçaj, rezulton të jetë njeri i alkoolizuar, problematik dhe agresivi. Ai dhe familja e tij janë aksioner në një gurore në fshatin Brataj të Vlorës, ndërsa një nga djemtë e familjes, Gazmend Sulçaj, në 2021-shin është arrestuar në Vlorë për kanabis. Edhe në momentin e krimit, 48-vjeçari dyshohet se ishte i dehur.