Televizioni kombëtar grek “ANT1” i ka kushtuar një artikull vrasjes së 49-vjeçarit shqiptar, Jani Aliaj, ngjarje e ndodhur më 19 janar në burgun e Koridhalos.

Sipas medias, ai ishte transferuar për një kohë të caktuar në burgun e grave për shkak të dyshimeve se mund t’i bëhej atentat. Më pas ai ishte rikthyer sërish në burgun e burrave pa dhënë një arsye të qartë.

“Duke pasur parasysh se kishte informacione se kundër tij ekzistonte një kontratë vdekjeje, ai ishte transferuar në burgun e grave pak kohë më parë, për arsye mbrojtjeje. Papritmas, pak kohë më parë, u vendos që ai të transferohej përsëri në degën kryesore të burrave, pra në burgun e burrave, pa justifikim”, thotë gazetari Panagiotis Stathis.

Sipas të njëjtave burime, dy muaj më parë ai mori sulmin e parë në burg dhe i shpëtoi. Edhe atëherë, edhe pse ishte e qartë se ai do të vritej, nuk u morën masa mbrojtëse. Ai u la aty, ku fusha ishte padyshim e hapur për vrasësit e tij të mundshëm.

Sipas gazetarit të “ANT1”, “prandaj, është e qartë se ka përgjegjësi si penale ashtu edhe disiplinore. A po kërkohen ata? Nëse do të ndodhte një vrasje në Komisariat, i gjithë departamenti do të shpërbëhej. Tani? A janë ata përgjegjës në fund të fundit spektatorë të krimeve dhe pa asnjë përgjegjësi?”

Kush ishte Jani Aliaj?

Jani Alia 48-vjeçari nga Tepelena i njohur me pseudonimin “Xheku i tmerrshëm”,  u arrestua në 31 dhjetor të vitit 2024 në Athinë. Aty, me një identitet tjetër, i fshihej drejtësisë shqiptare prej 9 vitesh. Në 2016-ën, në një lokal në zonën e ish-bllokut, ai vrau me një pistoletë mulli, Elton Çiçon, po nga Tepelena.

Vrasja në Tiranë ishte pasojë e një luftë mes të dyve që kishte nisur herët në vendlindjen e tyre. Në mesin e vitit 2000 Jani Aliaj goditi për vdekje me thikë një 20-vjeçar nga Tepelena, shoku i fëmijërisë së Elton Çiços. Nga ajo kohë, Çico u betua për hakmarrje. Kjo ndjenjë për të marrë hak i bashkoi edhe në burg në Greqi. Të dy përfunduan në burgun e Koridhalos për vepra të ndryshme penale. Aty patën përplasjen e parë fizike.

Të dy u liruan dhe konflikti mes tyre përshkallëzoi në atentate të njëpasnjëshme. Çiço tentoi ta vriste Alinë në janar të vitit 2016 në Tiranë dhe më pas në Gjirokastër, duke e plagosur lehtë, por pa arritur qëllimin. Pak muaj më vonë, në maj të 2016-ës, Alia veproi gjakftohtë duke e vrarë armikun e tij teksa ndodhej në një lokal në ish-bllok nën shoqërinë e një mjeku dhe gazetari.

Nuk dihet ende përse ekstradimi i Jani Alisë në Shqipëri, i arrestuar në ditën e fundit të 2024-ës deri në janar 2026 nuk është kryer, por me gjasë lidhet me faktin se edhe në Greqi Jani Alia, kishte probleme me drejtësinë.