TIRANE - Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka cilësuar tronditëse vrasjen e Ilir Karelit, shqiptari i cili u rrah dhe më pas vdiq si pasojë e torturave në mënyrë brutale në burgun e Malandrinos dhe Nigritas në Greqi. Sipas Berishës ky akt i rëndë është një ndër krimet e radhës që kryhet ndaj emigrantëve shqiptarë.
 
Berisha shkruan në profilin e tij në Facebook se, “një lajm tronditës vjen nga burgjet e Greqisë. Gardianët grekë kanë torturuar, masakruar dhe i kanë marrë jetën shtetasit shqiptar Kudret Kume, (Ilir Kareli), pasi ky i fundit kishte vrarë një gardian në burgun ku vuante dënimin”.
 
“Duke dënuar me ashpërsi vrasjen e gardianit grek në detyrë dhe shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes së tij, unë gjithashtu i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Kudret Kumes dhe dënoj me indinjate të thellë krimin e shëmtuar shtetëror të vrasjes me tortura çnjerëzore të shtetasit shqiptar në qelinë ku ai vuante dënimin”, shkruan Berisha në Facebook.
 
Sipas tij, “ky akt i rëndë kriminal nuk është i izoluar, por është një ndër krimet e radhës që kryhet ndaj emigrantëve shqiptarë në një situatë tejet të rendë për ta, që ekziston në burgjet greke”.
 
“Akte të tilla çnjerëzore janë dëshmi e problemeve serioze me të cilat përballen emigrantët shqiptarë dhe janë shprehje e albanofobisë që ushqejnë në vendin fqinj qarqe të caktuara politike, mediatike, zyrtare e jo zyrtare”, thotë ish-kryeministrit.
 
“I bëj thirrje autoriteteve greke të hetojnë me transparencë dhe paanësi të plotë dhe të ndëshkojnë autorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi shtetëror dhe të garantojnë të drejtat e të burgosurve pa diskriminim si dhe t’u kundërvihen me forcë akteve albanofobike si akte atavike dhe primitive”, përfundon shënimi i ish-kryeministrit Sali Berisha.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)