TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policinë e Tiranës, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes ku mbeti i vrarë me dy breshëri Kallashnikovi ish-shefi i Komisaraitit Nr.6 Dritan Lamaj. Ndërkohë që dje Gjykata e Selanikut i komunikoi akuzën 43-vjeçarit Arben Frroku, i dyshuar si autor i vrasjes së kryekomisarit, Shqiptarja.com zbulon sot se ai nuk rezulton të ketë qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes.
Burime të rezervuara pranë organit të akuzës thanë se në automjetin tip “BMW”, e cila u përdor nga autorët e ngjarjes për ekzekutimin e Lamajt, janë gjetur një sërë provash të rëndësishme. Është bllokuar edhe automjeti me të cilin Arben Frroku udhëtoi drejt Selanikut.

EKSPERTIMET ANALITIKE: FRROKU NUK ISHTE NE VENDGJARJE

Burime jozyrtare bënë të ditur se kanë përfunduar ekspertimet analitike të qelizës së telefonit të Frrokut, në të cilën itinerari që ai ka përshkruar nuk ka lidhje me zonën e “Vasil Shantos”. Edhe pse burime të besueshme pranë grupit hetimor thanë pak ditë pas ngjarjes se kanë prova të forta, si dëshmitarë okularë dhe pamje filmike të sekuestruara nga kamerat e sigurisë, se Arben Frroku është një nga autorët e dyshuar të vrasjes, provat analitike pritet të “rrëzojnë” arrestimin e Frrokut. Menjëherë pas ngjarjes, me anë të aparaturave të përdorura gjatë hetimeve, telefoni celular i Arben Frrokut ka qenë nën gjurmim, dhe tashmë grupi hetimor ka në duar të gjithë lëvizjen e tij në datën 24 shkurt. Nga përfundimet e provës analitike, në itinerarin e përshkruar nga 43-vjeçari, i cili ka udhëtuar në drejtim të Kapshticës, nuk ka rezultuar në asnjë moment se ai është afruar në zonën e “Vasil Shantos”, ku u regjistrua dhe ngjarja e rëndë. Me anë të qelizës, prokurorët mundën të zbulojnë detaje edhe në pjesën tjetër të dosjes, atë të mesazhit kërcënues të mbërritur në telefonin e ish-vartësit të Lamajt. Ekspertiza analitike zbuloi se bëhej fjalë për një numër celulari, i cili kishte dërguar nga Tirana sms-në kërcënuese në drejtim të kryekomisarit Arianit Arapi, vetëm 10 minuta pas ekzekutimit të Dritan Lamajt.

GJURME NE MAKINËN ME TË CILËN U KRYE VRASJA
Burime të rezervuara pranë organit të akuzës thanë se në automjetin tip “BMW”, e cila u përdor nga autorët e ngjarjes për ekzekutimin e Lamajt, janë gjetur një sërë provash të rëndësishme, mes tyre edhe gëzhoja të armës së zjarrit që u përdor mbrëmjen e 24 shkurtit. Sipas të njëjtave burime, dëshmia e dhënë nga Gentian Bejtja, personi i arrestuar për vjedhjen e automjetit me targa të Durrësit, konsiderohet si një pjesë e rëndësishme për zbardhjen e hetimeve, së bashku me deklarimet e dhëna nga një dëshmitar okular në momentin e ekzekutimit të Lamajt.

I SEKUESTROHET MAKINA ARBEN FRROKUT

Automjeti me të cilin Arben Frroku udhëtoi drejt Selanikut, është bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës mbrëmjene djeshme. Burime jozyrtare të policisë thanë se Grand Frroku, i biri i biznesmenit, ka qenë duke u kthyer nga Selaniku me makinën tip “Mercedes Benz” ML me targa AA 008 DC. Sipas burimeve, 21-vjeçari Frroku ka qenë duke kaluar në kufi në momentin kur është ndaluar. Sipas policisë, Grand Frroku ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, kur drejtësia greke i komunikoi akuzën të atit. Policia urdhëroi bllokimin e makinës në kuadër të hetimeve për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj

BASHKËPUNËTORËT

Një ditë pas ngjarjes, më 25 shkurt të këtij viti, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit doli në një deklaratë zyrtare, ku përveç arrestimit të Arben Frrokut, bëri të ditur edhe ndalimin e Jak Jakut, si bashkëpunëtor në krim. Por Gjykata Penale e Tiranës dha pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Jaku, vetëm për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, duke mos provuar në këtë mënyrë akuzën për të përfshirë në vrasjen e Lamajt. Por ajo çka është provuar nga hetimet e deritanishme, është fakti se krimi është realizuar nga dy persona të maskuar. Deri tani, drejtësia shqiptare ka vetëm një të akuzuar për vrasje, Arben Frrokun, duke lënë të kuptohet se mbetet ende i paidentifikuar bashkëpunëtori tjetër i tij.


(sg/shqiptarja.com)