TIRANE - Provat e siguruara në vendin e ngjarjes ku mbeti i vrarë ish-shefi i Komisariatit Nr.6 Dritan Lamaj, dhe ato të gjetura gjatë hetimeve paraprake nga prokuroria dhe policia, nuk mjaftojnë për të mbajtur pas hekurave 43-vjeçarin Arben Frroku, i arrestuar si autor i dyshuar.

Burime konfidenciale pranë organit të akuzës pranojnë se arrestimi i tij nga policia ka qenë i gabuar, dhe se provat e deritanishme nuk vërtetojnë fajësinë e biznesmenit, I ndaluar një ditë pas vrasjes në Selanik të Greqisë, për llogari të drejtësisë shqiptare.

PROVAT

Automjeti tip BMW i cili u përdor nga autorët e ngjarjes pasditen e 24 shkurtit, u konsiderua nga hetuesit e çështjes si një ndër provat më kryesore për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Të tjera burime konfidenciale bëjnë të ditur se pas gjetjes dhe sekuestrimit të makinës në cilësinë e provës materiale, në të gjanë gjetur dy gëzhoja arme zjarri.

Pas ekspertizës balistike të tyre, ka rezultuar se ata i përkisnin Kallashnikovit me të cilin u realizua ekzekutimi i Lamajt. Automjeti që u vodh në Durrës dy ditë para ngjarjes, lidhet me vrasjen e Lamajt. Burimet theksojnë se brenda në BMW me targa Durrësi janë gjetur në sediljen e pasme dy fije floku, por pas ekspertizës ata janë konsideruar të pavlefshme dhe të papërdorshme për hetimin.

Së treti, ekspertiza analitike ka përjashtuar Arben Frrokun të ketë pasur lidhje me vendngjarjen. Nga qeliza e telefonit celular ka rezultuar se në kohën e kryerjes së krimit, rreth orës 18:20 të datës 24 shkurt, ai ka qenë duke udhëtuar në Krrabë, pranë Elbasanit, dhe nuk është ndodhur në zonën e “Vasil Shantos”, pranë shtëpisë së Lamajt.

ARRESTIMI I FRROKUT


Më 25 shkurt, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha zyrtarisht se arrestoi si autor të dyshuar të vrasjes së Lamajt, Arben Frrokun dhe Jak Jakun. Dy ditë pas lajmit, Gjykata Penale e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Jakun, vetëm për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Ndërkohë, që Gjykata e Krimeve të Rënda la në “arrest me burg” Frrokun, nën akuzën e vrasjes. 43-vjeçari pritet të ekstradohet nga Greqia brenda datës 10 prill, për t’u përballur nga akuzat.

Gjatë komunikimeve me mediat nga drejtoria e policisë së Selanikut, Frroku deklaroi se do të kthehej në Shqipëri dhe se do të publikonte prova që nuk e implikonin në vrasjen e Lamajt, edhe pse pranoi konfliktet e ndezura mes tyre përgjatë vitit 2012.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)