Kufizimi i imuniteti që u votua dje në Kuvend ka sjellë debate, duke zhvendosur vëmendjen tek ish presidenti Bamir Topi, Kreshnik Spahiu si dhe tek kryeprokurorja Ina Rama. Mazhoranca qeverisëse ka hedhur akuzua mbi këta njerëz duke i cilësuar si persona të lidhur me krimin. Kryeministri Berisha ka akuzuar ish presidentin Bamir Topi dhe për nënkryetarin e KLD, Kreshnik Spahiu për dy vrasjet e bujshme të gjyqtarit të Vlorës Edison Konomi dhe kryekomisarit Adem Tahirajt. "Ka qenë një nga ngjarjet më të dhimbshme atentati ndaj zotit Konomi, i akuzuari kryesor ishte Topi juaj në rrjetë. Nuk kam asnjë fakt, por Topi juaj u përfol si një nga njerëzit që kishte dashtë të grabiste tokat në atë zonë me lejtnantët e vet dhe e pati shumë të vështirë kur shkoi në familje", u shpreh Berisha. Duke vijuar me akuzat në adresë të ish presidentit Bamir Topi dhe ish kreut të KLD-së, Kreshnik Spahiu, Berisha tha se vrasja e kryekomisarit Adem Tahiraj fsheh këta dy persona. "Gjyqtari që liroi Ilir Xhaken (vrasësi i Adem Tahiraj) ishte thirrur në KLD nga Kreshnik Spahiu për ta liruar", tha Berisha. Kryeministri ka vijuar me akuzat ndaj ish presidentit Topi dhe lidhjes së tij me Partinë Socialiste. "Bamir Topi është bashkëpunëtor i Partisë Socialiste. Dhe sa qe Topi në rrjetin tuaj i premtuat se do ta përkrahnit, i premtuat se në KLD do të votonit Sali Shehun, dhe këtu abstenuat, s'guxuat të votoni kundër", tha Kryeministri Berisha. Sali Berisha vijoi me batutat e tij dhe cilësimet ndaj Bamir Topit dhe Kreshnik Spahiut duke thënë "Topi u ka hyrë në qyp e ju përpiqeni ta nxirrni prej tij. Tani që u iku faqeziu (Kreshnik Spahiu), bërtisni për pavarësi institucionesh. Pse nuk u ngritët për pavarësi të institucioneve kushtetuese kur Topi dhe Spahiu krijonin parti kur drejtonin institucione?", theksoi Berisha. Ndërsa Jozefina Topalli ka akuzuar kryeprokuroren Ina Rama për heshtjen ndaj imunitetit të gjyqtarit që liroi Ilir Xhajkën.

RUCI AKUZA BERISHES
Akuzat e lëshuara në drejtim të tre drejtuesve dhe ish drejtuesve më të rëndësishëm të institucioneve në Shqipëri kanë marrë përgjigje nga kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi. Numri dy i PS në replikë me kryeministrin tha se Ilir Xhakja, vrasësi i kreut të komisariatit të Shijakut i duhej për fushatë. "Ilir Xhakja, që deri dje e përdorje për të mbushur shportën elektorale, sot mundohesh t`ia faturosh opozitës. Më kot mundohesh. Ai guxoi ngriti dorë në mes të ditës ndaj uniformës së shtetit sepse ju e mbrojtët", tha Ruçi. Ndërkaq, Ruçi tha se shteti nuk e tregon forcën e tij pasi ende vijojnë pa u kapur vrasësit e gjyqtarit Konomi, deputetit Xhindi e kryetarit të komunës në Shkodër. "Propozimet e PS janë substanciale, për të siguruar luajalitetin dhe disekuilibrin që është vendosur në organet e drejtësisë dhe kërkojnë konsensus politik. Por politika nuk e jep se do të mbajë të kapur sistemin e drejtësisë të varur. Duruam shumë, asnjë përgjgije që kur u vra deputeti Xhindi, kryekomunari i Shkodrës, gjyqtari Skerdilajd Konomi. Sot e kësaj dite asnjë përgjigje dhe ja ku erdhëm. 158 të vrarë vetëm në 3 muaj bëjnë apel. Kush e ka radhën, fëmijët?", u shpreh Gramoz Ruçi. Në fjalën e tij kryeministri Berisha tha se Partia Socialiste në pushtet ka pasur në krye të institucioneve kushtetuese njerëzit e saj, ndërsa sot në krye të tyre sipas tij qëndrojnë njerëz jopartiak.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)