Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën për vrasjen e së ndjerës Liridona Ademaj në fund të nëntorit të vitit 2023.

Kjo kërkesë sot u paraqit nga prokurorja, Javorka Perlinçeviç gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare.

“Prokuroria i propozon gjykatës që të sjellë aktgjykim dënues dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtor, duke i dënuar me burgim të përjetshëm”, tha prokurorja.

Aktualisht në seancë fjalën përfundimtare është duke e paraqitur Leonardi, vëllai i së ndjerës Liridona Ademaj e cila u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë e cila u paraqit si grabitje.

Leonard Ademaj tha se familja ka zgjedhur besimin në drejtësi në vend të zhgënjimit, prandaj presin që gjykata të vendosë drejt. Megjithatë, sipas tij është e qartë se autori i krimit është Murseli.

"Ne si familje dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, një gjë e kanë të qartë që Naimi e ka organizuar këtë vrasje së bashku me Kushtrimin dhe e kanë zgjedhur Granitin si vrasës. Nga këtu, duhet të japim mesazhe të qarta, për të gjithë ata kriminelë që guxojnë të ngrenë duart mbi nënat e motrat tona. Duhet ta dimë të gjithë që këtë proces në të ardhmen do ta shohin edhe fëmijët e Liridonës, do të rriten me mallin për nënën e tyre e në të njëjtën kohë do të kërkojnë drejtësi për të. Kur ta shohin këtë proces, do ta kuptojnë që nuk kanë nevojë të brengosen sepse drejtësia për nënën e tyre ka shkuar në vend", tha ai.

Më tej, shtoi se e vetmja mënyrë që familja të gjejë disi lehtësim, është kalbja në burg e tre të pandehurve.

"Na ka mbetur edhe një gjysmë jete, të cilën e keni në duar ju ta vendosni se a duhet të jetojmë me frikë apo duhet të ndihemi të sigurt në vendin tonë. Andaj kërkojmë që dënimi të jetë me burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër e denigron Liridonën, vendin, shoqërinë dhe vetëdijen e populli tonë për këtë krim makabër. Vetëm vuajtja e dënimit të tyre, e qetëson sado pak dhimbjen e familjes tonë", vijoi Leonard Ademaj.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani fillimisht i është shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai ka refuzuar që të gjejë një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla e ka gjetur Plavën e të cilin e ka njoftuar me Naimin.

Sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen. Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro dhe ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Lajm në përditësim...