Tiranë- I mituri i akuzuar për vrasjen e Martin Canit më 18 nëntor 2024 pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë kërkon të lërë qelinë e paraburgimit në institutin për të mitur në Kavajë dhe gjykata të caktojë një masë më të butë sigurie ndaj tij.

Avokati i 14-vjeçarit ankimoi masën arrest në burg, me pretendimin se i mituri ka goditur me thikë në kushtet e vetëmbrojtjes.

Vrasja ndodhi më 18 Nëntor  pas një përleshjeje pranë shkollës “Fan Noli”. 

Sipas dinamikës së ngjarjes, Martin Cani dhe shoku 14 vjeçar që ai thërriti për mbështetje nga Sauku, ishin mbi trupin e autorit duke u përleshur, kur i dyshuari qëlloi me thikë. Nga plagët humbi jetën Martin Cani dhe mbeti i plagosur miku i tij, ndërsa gjatë përleshjes u vetëplagos në parakrah edhe autori i dyshuar.

Shoku i plagosur i Martin Canit ka pretenduar se autori i dyshuar nuk ishte i vetmi që kishte thikë gjatë sherrit, por policia i ka mohuar këto pretendime. Gjykata e Tiranës më 22 Nëntor, caktoi arrest me burg për 14 vjeçarin dhe më 26 Nëntor i dyshuari u transferua për në Burgun e të Miturve në Kavajë.