Tirane-  Gjykata e Tiranës, seksioni i të miturve, dha sot (22 nentor)  masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 14 vjeçarin e arrestuar si autor të vrasjes me thikë të Martin Canit, edhe ky vetëm 14 vjeç. Të dy ishin nxënës të shkollës “Fan Noli’ në Tiranë, pak metra larg së cilës 4 ditë më parë ndodhi vrasja. 

Gjyqtares Lorena Çabej, prokurores së seksionit për të mitur, Alma Felaj, shoqëruar nga një psikologu iu desh të shkojnë në ambientet e një spitali privat, ku i mituri po merr mjekim për shkak të plagës që ka marrë në dorë prej ditës kur ndodhi vrasja. Ai qëndron aty prej 18 nëntorit, kur akuzohet se qëlloi për vdekje me thikë bashkëmoshatarin Martin Cani, dhe la të plagosur mikun e tij po 14 vjeçar.

Të miturit i është kërkuar disa herë të japë shpjegime por ka refuzuar duke thënë vetëm: Nuk mbaj mend çfarë ka ndodhur”. 14 vjeçari nuk ka pranuar as të tregojë se ku e ka fshehur armën e krimit. Ndërkohë grupi hetimor po vijon hetimet pasi autori nuk ka qenë i vetëm në ngjarje si dhe janë marrë në pyetje disa bashkëmoshatarë të tjerë.

Çfarë kërkon të zbardhin hetuesit?
Nuk është gjetur ende arma e krimit, thika, telefoni i të miturit dhe çanta e tij. Hetimet janë përqendruar tashmë për të zbuluar se cilët ishin personat që e morën të miturin pas ngjarjes ku mbeti i plagosur edhe vetë në parakrah, dhe e çuan drejt spitalit. Burimet thonë se fillimisht 14-vjeçari i dyshuar iku me vrap drejt Pazarit të ri, dhe aty persona ende të paidentifikuar, e morën në makinë dhe e dërguan në një spital privat jo shumë larg vendit të ngjarjes. Aty është mjekuar provizorisht e më tej, të njëjtët persona, e kanë transportuar po me automjet privat drejt spitalit ku qëndron edhe sot. Në këtë itinerar, nga njëri spital në tjetrin, i mituri dyshohet të ketë bërë këtë foto në makinë, me personat që e kanë shoqëruar, ku shfaq dorën grusht, ndoshta me mesazhin se ai i triumfoi sherrit me shokun e shkollës.

Të njëjtët persona që grupi hetimor po kërkon t’i zbulojë, mendohet të kenë fshehur çantën e shkollës së të miturit të dyshuar, thikën e krimit, dhe telefonin celular të tij, që ende nuk janë gjetur. Edhe për çantën, telefonin dhe thikën, të cilën më herët e kishte postuar edhe në rrjetet sociale, 14-vjeçari i dyshuar, 'thotë se nuk mban asgjë"  Kjo ka bërë që hetuesit të rikthehen  në vendin ku ndodhi  ngjarja për të sekuestruar kamerat e bizneseve e tjera  në rrugën ku mendohet se ka kaluar autori dhe personat që e kanë ndihmuar të largohet. 

Po shkolla?
Eshtë marrë dhe dëshmia e mësuesve, e oficeres së sigurisë.
Prokuroria po verifikon dhe veprimet që janë ndërmarrë nga mësuesja, oficerja e sigurisë dhe drejtoresha e shkollës në lidhje me këtë rast. Nëse është ndjekur rruga siç duhet e raportimit nga institucioni dhe a janë respektuar rregullat për këtë rast.

Rëndohet akuza penale
Ndryshe nga referimi policisë për ngjarjen ku e akuzoi të miturin  për vrasje me dashje organi i akuzës e ka riklasifikuar krimin,  duke kërkuar në gjykatë masën “arrest me burg për akuzën  e "vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit ", si edhe "mbajtje pa leje të armëve të ftohta".  Për këtë akuzë Kodi Penal parashikon minimalisht 20 vite burg deri në dënim maksimal burgim të përjetshëm. Por në raste kur autorët janë të mitur parashikohet përgjysmimi i dënimit, ndërsa përjashtohen nga burgu i përjetshëm. Pra minimumi i dënimit për autorin është 10 vite burgim. 

Mjekimi në spital
Hetimet po kryhen nga seksioni I të miturve I prokurorisë së Tiranës.I mituri po qëndron ende në një dhomë në katin e 4 të spitalit privat, ku ruhet me efektiv policie, deri në momentin që mjekët do të aprovojnë se gjendja e tij ia lejon kalimin në një dhomë paraburgimi në seksionin e të miturve. Në ambientet e spitalit ishin të pranishëm shumë të afërm të të dyshuarit.

Prokuroria kërkoi që i mituri në konflikt me ligjin të qëndronte në masë “arrest me burg”. I pranishëm në dhomën e spitalit ku u zhvillua seanca ishte edhe avokati i të miturit, Ardian Leka, i cili kërkoi masë me të lehtë sigurie, por që nuk u mor parasysh nga gjyqtarja, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë.

Vrasja

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën e 18 nëntorit 2024 në pranë shkollës 9-vjeçare 'Fan Noli' ku viktima dhe autori janë nxënës dhe sherri dyshohet se nisi për një sharje banale mes tyre.Dy 14-vjeçarët ishin konfliktuar të premten dhe e vijuan zënkën edhe ditën e hënë kur shkuan në shkollë, por oficerja e sigurisë që pikasi sherrin verbal mes tyre e mbylli me aq, pa njoftuar prindërit e fëmijëve, pasi të dy e garantuan se e zgjidhën mes njëri-tjetrit. Megjithatë, Martini dhe autori i dyshuar, thërritën të dy shokë, për t’i pasur mbështetje në sherrin e dhunshëm që pasoi pas mësimit, e që përfundoi me një të vdekur e një të plagosur. Autori mori me vete një nxënës të shkollës “Fan Noli” që deri më tani sipas hetimeve ka ndërhyrë për të shuar përplasjen, ndërsa Martini kërkoi ndihmën e një shoku nga shkolla “Mustafa Qemal Atatürk” në Sauk, me të cilin luante në ekipin U-15 të Dinamos.

Vendimi i Gjykates së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
1. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të shtetasit të mitur ne konflikt me ligjin M. P., , kryer nga oficerët e policise gjyqesore me iniciative ne date 18.11.2024, ora 21.30.
2. Caktimin e mases se sigurimit personal ndaj shtetasit te mitur ne konflikt me ligjin M.P.i, i dyshuar per kryerjen vepres penale "Vrasje e kryer ne rrethana cilesuese", ndaj nje te mituri, parashikuar nga neni 79/a i Kodit Penal, ate te "Arrestit ne burg" parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale.
3. Ngarkohet policia giyqesore per zbatimin e ketij vendimi.
4. Kunder këtij vendimi lejohet te behet ankim ne Gykaten e Apelit te Juridiksionit tePergjithshem Tirane, brenda 5 (pese) diteve, afat ky qe fillon nga e nesermja e njoftimit të këtij vendimi.
5. U shpall sot ne Tirane, më date 22.11.2024.