Familja e 14- vjeçarit Martin Canit, i cili u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij afër shkollës “Fan Noli” në Tiranë, do donte që kjo ditë të ishte një ditë festë për djalin e tyre, i cili sot do të festonte 15- vjetorin.

Por këtë të diel, në vend të tortës e dhuratave, ata morën lule të bardha dhe tullumbace dhe shkuan pranë varrit të tij. Prindërit e Martinit lëshuan tullumbacët në qiell si një shenjë lamtumire dhe dashurie për djalin e tyre, ndërsa në një kornizë të vendosur aty pranë shkruhej: “Martin, ylli më i bukur i qiellit”.

Vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024 në Tiranë, nga një bashkëmoshatar vetëm 200 metër larg shkollës “Fan Noli”. Ngjarja ndodhi 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive krejt banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish po brenda shkollës.

2 të miturit u takuan paradite në tualetet e shkollës, debatuan sërish por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, me shokët respektivë, u takuan jo shumë larg oborrit të shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martinit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosje të autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe i plagosuri.