'Vrasja e Nako Spiros është prapaskenë, Nesti Kerenxhi, më dërgoi në bankë që të tërhiqja 1000 dollarë amerikanë dhe...'/ Zbulohet ‘dosja e zezë’ e Sigurimit, në 1945 – ‘49

'Vrasja e Nako Spiros është prapaskenë,  Nesti Kerenxhi, më dërgoi në bankë që të tërhiqja 1000 dollarë amerikanë dhe...'/ Zbulohet ‘dosja e zezë’ e Sigurimit, në 1945 – ‘49

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin viteve 1945-1949, ku ndodhen disa raporte, informacione, relacione, njoftime, vendime, etj., të Komitetit të Partisë së Qarkut të Tiranës, të firmosura nga sekretarja e parë, Fiqret Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me propozimet e bëra në mbledhjet e organizatës bazë së partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pasi u analizua “veprimtaria trockiste dhe armiqësore” e drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si: Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Mihallaq Ziçishti dhe Myftar Tare, u dhanë motivacionet përkatëse për masat e marra dhe dënimet ndaj tyre.

Raport-informacioni i hartuar nga Fiqret Shehu, lidhur me mbledhjet e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku diskutuan kuadrot më të lartë të të tij, si: Vaskë Koleci, Angji Faber, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Siri Çarçani, Lefter Lakrori, Paskal Andoni, Isa Agoviku, Zymer Jerina, Nesti Kopali, Thoma Vangjeli, Strati Papa, Ali Kubati, Myftar Tare, Beqir Ndou, Uran Avdiu, Asllan Zyka, Mit’hat Bushati, Muharrem Lila, Skënder Konica, Pilo Shanto, Jani Naska, Petrit Arbana, Thoma Vangjeli, Zoi Shkurti, Vangjel Pecani, Dhosi Progri, Mihallaq Ziçishti, Sadik Bocaj, Sali Ormëni, etj.

Proces-verbalet e mbledhjeve të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, ku pjesa më e madhe e kuadrove drejtues që morën fjalën aty, diskutuan dhe analizuan veprimtarinë e punës së tyre për periudhën 1945-1949, duke evidentuar terrorin, persekutimet, internimet, arrestimet, burgosjet, torturat, pushkatimet, krimet, vrasjet me dhe pa gjyq, zhdukjen e personave, etj., etj. që kishin ndërmarrë kuadrot më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke filluar nga Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vango Mitrojorgji, Vaskë Koleci, Myftar Tare, Mihallaq Ziçishti, etj., të cilët veç të tjerash, u akuzuan se, në bashkëpunim me këshilltarët jugosllavë të UDB-së që ishin inkuadruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si koloneli famëkeq, Safet Filipoviç, majori Mirko, etj., kishin vënë organet e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë, duke arritur deri aty sa të kontrollonin edhe postën e ‘Komandantit’ (Enver Hoxhës), si dhe të survejonin udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe qeverisë, si: Mehmet Shehun, Spiro Kolekën, Bedri Spahi n, Nako Spiron, Njazi Islami, Spiro Gusho, etj.

Vijon nga numri i kaluar

Dokumenti me relacionin e hartuar nga sekretarja e Komitetit të Partisë së Tiranës, Fiqret Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me propozimet që ishin bërë nga ana e organizatës bazë të partisë të Drejtorisë, së Sigurimit të Shtetit, për masat e marra ndaj drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Brendshme, si: Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi, të akuzuar për “veprimtari trockiste dhe armiqësore”.

KOMITETI I P.P.SH. QYTETIT

PËR TIRANËN                                                                                Tiranë, më 25.3.1959

Nr. 7/392

KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË

Tiranë

Bashkangjitur ju dërgojmë propozimet e organizatës bazë të Drejtorisë së Sigurimit, Nr. 1, në lidhje me masat që duhen marrë për shokët: Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji, Myftar Tare dhe Nesti Kerenxhi.

Thoma Vangjeli: Nesti më tha që para një kapteri në Sigurim, unë nuk vë as një kapiten të Ushtrisë. Përse?!

Zoi Shkurti: Pyes Nestin, nëse është vënë në dijeni Komandanti për survejimin e Nakos?!

Siri Çarçani: A ka qenë në prapaskenën e Beratit, Nesti?!

Lutfi Milori: Nesti, më ka kërkuar radiogramet e operacionit të 1946-ës në Peshkopi, përse?!

Lefter Lakrori: Nesti në autokritikën që bëri më parë, më tha se kush e ngriti çështjen e Arif Gjylit?! Mos e kishte gjë për Nako Spiron?!

Angji Faberi: Pyes Nestin nëse, është prapaskenë vetëvrasja e Nako Spiros, pasi ai disa ditë më parë më dërgoi në Komisionin e Planit të Shtetit. Para 3-4 muajsh Nesti më dërgoi në bankë që të tërhiqja 1000 dollarë amerikan dhe t’i konvertoja në lekë shqiptar. Nesti më ka dërguar që të çoj letra tek jugosllavët, që unë më pas i kam çuar dhe tek sovjetikët.

Vangjel Pecani: A ju janë dhënë jugosllavëve, dokumenta me rëndësi në sektorin ku punoja unë, pyes Kerenxhin dhe Taren?!

Miltiadh Papa: Çdo çështje që parashtrohej nga poshtë për kundër jugosllavëve, kemi bërë relacione ku kemi shënuar të gjitha horrllëqet e tyre. Por këto, na janë kthyer mbrapsht nga Nesti Kerenxhi e Vaskë Koleci.

Dhosi Pecani: Nesti, më tha se për një kohë nuk u punua më për procesin e Xegës dhe Konomit. Punimi mbi këtë proces, është filluar pas 15 Gushtit, pra pas vendimin të Informbyrosë, për ta nxjerrë Nako Spiron agjent të anglo-amerikanëve. Maqo Pecani, i ka thënë Miltiadhit se, çfarë po bëni kështu, pasi akoma po vazhdoni për dënimin e tyre. Për qarkoret e torturave, në fund shënonte që, pasi të lexohen, të digjen.

Mihallaq Ziçishti: Unë, e përforcoj dyshimin për prapaskenën, pasi edhe shoku Nesti kishte dyshime për Komandantin.

Sadik Bocaj: Si mund të besohej menjëherë se Nako, ishte armik i Partisë, kur ai ishte në Komitetin Qendror dhe kishte kontakte direkt me jugosllavët.

Sali Ormëni: Si mund të mos i thoshte Koci Xoxe, shokut Nesti, për survejimin e Nako Spiros?! Dhe fakti që kjo çështje është biseduar dhe vendosur në shtëpinë e Kocit, është prapaskenë.

Angji Faberi: Shoku Nesti, më ka dërguar në Komisionin e Planit për të përgatitur një rrjet agjenturor, për të mësuar se ku ishin planet. Më ka dërguar dy javë përpara, prandaj them që ka pasur dijeni më përpara për Nakon.

Sadik Bocaj: Fakti i relacionit të bërë nga shoku Angji Faberi, 10 ditë para vrasjes së Nakos, dhe dërgimi i tij në Komisionin e Planit, si dhe planeve në Ushtri, do të thotë që Nako Spiru dhe Mehmet Shehu, ishin armiq.

Muharrem Lila: Mbas gjithë kësaj autokritike shoku Nesti, duhet të realizojë atë që, çështja e Nakos është një prapaskenë.

Sadik Bocaj: Shokët më kërkuan të sqaroj, mbi autokritikën e shokut Nesti në Komitetin Qendror. I’u thashë se këtu, autokritika e tij ka qenë më e zgjeruar dhe se ai, i ka dhënë materiale Partisë, dhe po vazhdon t’i japi.

Vaskë Koleci: Përsa i përket privilegjeve të mia, si p.sh., pallatet etj., nuk është e drejtë siç e shtroi shoku Nesti që unë, kam qenë në një rang me Koci Xoxen. Unë kam jetuar në një apartament prej 5 vetësh, si dhe nuk kam pasur asnjë privilegj dhe për këtë, të shikohen llogaritë. Të më ngarkohen vjedhjet, nuk është e drejtë.

U bë votimi dhe rezultoi: Që Nesti të përjashtohet nga Partia, me katër vota pro. Që ai të jetë në Parti, baras të gjithë, pa katër. Vendimi i Celulës është që shokut Nesti, t’i hiqet vërejtje e rëndë në biografi.

Pjesë të nxjerra nga proces-verbali i organizatës bazë të Partisë, të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, datë 1 deri më 17/12/1948, për:

N E S T I      K E R E N XH I

1.Mihallaq Ziçishti:

1/12/1948. Drejtoria e Sigurimit, Koci Xoxe, kanë shitur sekretet e Sigurimit ndaj Jugosllavëve, si: Koci Xoxe, Nesti Kerenxhi, Vaskë Koleci, e Vangjo Mitrojorgji.

Strati Papa

1/121948. Edhe anëtarët e Partisë, i arrestonim me urdhër të Drejtorisë. Për një A.P. nga Skrapari që dilte në procese, Nesti Kerenxhi më tha; arrestoje, unë nuk e arrestova.

Drejtori, kur Vangjua shkoi në Moskë, mbasi do ta zëvendësoja, më tha se; rrjeti do të ngrihet, në dhjetë veta, një bashkëpunëtor. Mua nuk m’u duk e drejtë dhe ja raportova Nesti Kerenxhit, e më tha se; pikpamja tënde është e drejtë, kështu ne do të bëjmë një ushtri informatorësh.

Nga poshtë ngrihej problem i jugosllavëve: Informatat për individët jugosllavë, na kërkoheshin në dy kopje të përkthyera. Nesti më tha: a jeni të siogurtë për këto informata për Jugosllavët dhe më tha se këta ndoshta i prodhojnë si rrjedhim i shovinizmit dhe nuk duhet të jepni informata pa qenë të sigurtë 100 %.

Më vonë u thirrën në Drejtori shokët e Kantiereve me urdhër të Nestit, në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavët. Ai i Kuçovës, Siri Qerimi, më tha se: “Më thirri Nesti dhe më tha se; pse raporton kundër Jugosllavëve”.

Pak ditë para se të fliste Koci Xoxe në shkollën e Partisë, u bë mbledhja e shefave dhe u shtrua çështja e marrëdhënieve tona me Jugosllavët: Atje, Nesti nxori një pjesë nga fjalimi dhe më tha se, këtë do ta referojë një i dërguar i Partisë, por kjo ishte diçka e përgatitur.

Dy tre ditë para se të vritej shoku Nako Spiro, më thirri Nesti dhe një tha se ç’bëhet në sektorin e Ekonomisë, kush e ka Komisionin e Planit, më tha për të shkuar në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë, Botore, e Bankë.

I arrestuari Anthim Konomi i dërgon një letër dhe i kërkon që të vinte një shok nga Komiteti Qendror, për t’i dhënë diçka me rëndësi. Këtë letër i’a dhashë Nestit. Ai më tha, merr zarf e letër dhe shko që të shkruajë.

Kur e prura letrën që ai ja drejtonte Kocit, i’a dhashë Nestit, pastaj më thirri Koci e Nesti e më thanë: a e keni rrahur, se druri është i ndaluar?! Paskal Andoni, i kishte dhënë nja dy pëllëmbë Anthimit dhe për rrahje, na u dha arrest nga Nesti.

Në lidhje me një letër që ishte gjetur në shtëpinë e Xegës, më thirri Nesti e më tha të nxjerrësh të tjera. Këtë e rrahëm, e vazhdoj të na kallëzoj emra si Gaqo Tashkon, Spiro Kolekën. Nesti na tha se ai kërkon të na provokojë dhe m’u përgjigj: “Po ai, i di pikat tona të dobëta”. Kur na ka ngarkuar për këtë, ishte para Plenumit të VIII-të.

Vaskë Koleci:

13/12/1948. U tha se ka pasur dijeni mbi të gjitha punët, këtë se pranoj, se gjatë kohës që ish Nesti Kerenxhi, shefat mbanin lidhje me të. Përgjegjësia si vijë, janë Jugosllavët që i kanë dhënë, Koci që i ka marrë, ashtu dhe Nesti e mbi mua, si një nga kuadrot kryesore, sepse edhe unë i kam marrë këto udhëzime nga Nesti.

Vetë përgjegjësitë që pati Nesti, sa arriti edhe anëtar i Byrosë, tregojnë se Koci Xoxe, nuk ka patur besim të tepruar te mua.

Myftar Tare. 14.12.1948

Nesti më ka thënë që; ti nuk do të shkosh te Mehmet Shehu, por tek Beqir Balluku. Kjo ndodhi, para se të largohej Mehmeti nga Shtatmadhoria, dhe ai kërkonte të nxirrte nga mua, pengesat që i kishte nxjerrë Mehmeti. Këtej e tutje,- më tha Nesti, – do të krijohet Ministria e Komunikacionit dhe do të them unë se me cilin do të marrësh lidhje.

Kur i thashë se si “i shkelmoi” Mehmeti, gjithë ato sakrifica, ai më tha që: “i bënte për vete”. Di që Nesti, fliste keq për Partinë Komuniste Greke dhe për popullin grek. Nuri Huta, më ka folur me urdhër të Nestit, kundër partisë dhe popullit grek. Nesti, fliste me simpati të madhe për Josip Gjergjian. Nga Nesti, kam marrë vesh për Isuf Keçin, që ishte i dyshimtë si dhe për Ali Kubatin, që shoqërohet me Isuf Keçin.

Tiranë më 21.7.1949

Dokumenti sekret i hartuar nga sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së, për kuadrot, Tuk Jakova, dërguar Komitetit të Partisë së Qarkut të Tiranës, lidhur me aprovimin e propozimeve për masat që duheshin marrë ndaj drejtuesve kryesorë të Ministrisë së Brendshme: Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji, Myftar Tare, dhe Nesti Kerenxhi

KOMITETIT TË PPSH-së TIRANË

Në lidhje e vendimin nr. 7/592 datë 25.3.1949

Komiteti Qendror i PPSH-së, pasi mori në shqyrtim propozimin e organizatës bazë të Drejtorisë së Sigurimit Nr. 1 dhe vendimet tuaja për masat që duhen marrë karshi shokëve: Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji, Myftar Tare, dhe Nesti Kerenxhi, si dhe duke marrë parasysh zhvillimin e gjyqit, kundër grupit trockist të Koci Xoxes, aprovon këto masa:

1.Vaskë Koleci, të përjashtohet nga Partia për këto arsye. Ka qenë anëtar aktiv dhe i dalluar të grupit trockist të Koci Xoxes, ka zbatuar me koshiencë të plotë urdhrat dhe direktivat e kryebanditit Koci Xoxe, me përgjegjësinë e Zv/Ministrit të Brendshëm, ishte mbështetësi kryesor i Koci Xoxes për punën kriminale të zhvilluar në sektorin e Sigurimit të Shtetit.

Me urdhrin e tij, anëtarët e Partisë dhe veçanërisht udhëheqësit e shtetit si shokët: Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Spiro Koleka, etj., janë vënë nën kontrollin policor të organeve të Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu ai, ka punuar për të nxjerrë deklarata fallco, dhe këto t’ja faturonte shokut Nako Spiro, gjoja si agjent i anglo-amerikanëve, si dhe ka kontrolluar postën e Komandantit.

Me urdhër të tij, janë kryer arrestime, burgime, torturime, dhe ekzekutime, të padrejta dhe të paligjshme. Ka bashkëpunuar ngushtësisht me të dërguarit e UDB-së, dhe ju ka dhënë atyre dokumenta sekrete të rëndësisë shtetërore. Ka shfaqur frymë të theksuar anti-sovjetike, ka përbuzur eksperiencën e sovjetikëve, dhe ka dhënë urdhër që këta të survejohen nga organet e Sigurimit të Shtetit.

Vangjo Mitrojorgji, të përjashtohet nga Partia për këto arsye. Ka qenë anëtar aktiv i grupit trockist të Koci Xoxes. Si Shef i Seksionit më të rëndësishëm në Drejtorinë e Sigurimit, ka vepruar me koshiencë dhe ka qenë i predispozuar për të zbatuar urdhrat e tradhtarit Koci Xoxe në Sigurimin e Shtetit. Ka dhënë urdhër, për arrestime, burgosje, tortura, dhe ekzekutime, të paligjshme.

Ka bashkëpunuar me të dërguarin e OZNA (UDB) Safet Filipoviç, duke i dhënë atij dokumenta sekrete të vendit tonë. Ka shfaqur frymë anti-sovjetike pasi, ka urdhëruar që në Kuçovë të ruhen sekretet nga sovjetikët, si dhe ka urdhëruar survejimin e tyre.

Myftar Tare, të ndëshkohet me vërejtje të rëndë në biografi për këto arsye. Ka qenë i predispozuar për të bashkëpunuar me Koci Xoxen, Vaskë Kolecin, Vangjo Mitrojorgjin, dhe Nesti Kerenxhin, në zhvillimin e punës armiqësore në sektorin e Sigurimit të Shtetit.

Ky, ka qenë një nga kuadrot kryesorë të Sigurimit të Shtetit (në sektorin e Zbulimit) dhe sjelljet e tij, nuk kanë qenë të mira pasi, ka bërë intriga dhe akuza të pabaza. Ka bashkëpunuar me të dërguarin e OZNA (UDB) Safet Filipovic dhe i ka dhënë atij dokumenta sekrete të shtetit tonë. Kur ky, është kritikuar për gabimet e tij, nuk ka reaguar mirë.

Nesti Kerenxhi, të ndëshkohet me vërejtje të rëndë në biografi për këto arsye. Si Zv/Ministër i Brendshëm, ka përgjegjësinë e tij për punën armiqësore rë zhvilluar në Sigurimin e Shtetit. Ka nënvlerësuar eksperiencën sovjetike, si dhe ka punuar në ngritjen e strukturës së Sigurimit të Shtetit mbi baza trockiste.

Ka kontrolluar, letrat e Komandantit. Por me gjithë gabimet e rënda të tij Partia, i jep dorën Nesti Kerenxhit pasi ky, ka bërë një autokritikë deri diku të plotë dhe jep shpresa për përmirësim. Memorie.al

Për Komitetin Qendror të PPSH-së

Sekretari për Kuadrot

Tuk Jakova

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen