Vrasja e Nasrallahut dhe lëkundja e besimit ndërmjet Iranit e Hezbollahut

Vrasja e Nasrallahut dhe lëkundja e besimit ndërmjet Iranit e Hezbollahut

Hassan Nasrallah

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e kishte paralajmëruar udhëheqësin e Hezbollahut, Syyed Hassan Nasrallah, që të largohej nga Libani, disa ditë përpara se të vritej në një sulm izraelit dhe tani është thellësisht i shqetësuar për infiltrimin izraelit në rangjet e larta të qeverisë në Teheran, kanë thënë për Reuters tri burime iraniane.

Menjëherë pas shpërthimit të pejxherëve të Hezbollahut, më 17 shtator, Khamenei kishte dërguar një person për t'iu lutur sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut të nisej për në Iran, bazuar në raportet e inteligjencës sipas të cilave Izraeli kishte operativë brenda Hezbollahut dhe po planifikonte vrasjen e tij, ka thënë një zyrtar i lartë iranian.

I dërguari, tha zyrtari, ishte një komandant i lartë i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC), gjeneralbrigade Abbas Nilforoushan, i cili ishte me Nasrallah në bunkerin e tij kur u godit nga bombat izraelite dhe gjithashtu u vra.

Khamenei, i cili po qëndron në një vend të sigurt brenda Iranit që nga e shtuna, urdhëroi hedhjen e një breshërie prej rreth 200 raketash në Izrael të martën, sipas zyrtarit iranian.

Sulmi ishte hakmarrje për vdekjen e Nasrallah dhe Nilforoushan, ka deklaruar se Garda Revolucionare në një deklaratë. Aty u përmend gjithashtu vrasja në korrik e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran dhe sulmet e Izraelit në Liban. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e Haniyeh.

Izraeli filloi të martën atë që e cilësoi si një inkursion tokësor “të kufizuar” kundër Hezbollahut në Libanin jugor.

Vrasja e Nasrallahut pasoi dy javë sulmesh të sakta izraelite që kanë shkatërruar objekte armësh, kanë eliminuar gjysmën e këshillit udhëheqës të Hezbollahut dhe kanë shkatërruar komandën e lartë ushtarake.

Frika e Iranit për sigurinë e Khameneit dhe humbjen e besimit, si brenda Hezbollahut ashtu edhe në lidershipin e Iranit, është shfaqur në bisedat me 10 burime për këtë histori, të cilët përshkruan një situatë që mund të komplikojë funksionimin efektiv të grupeve të armatosura antiizraelite, të aleancës së Boshtit të Rezistencës të Iranit.

I themeluar me mbështetjen e Iranit në vitet 1980, Hezbollahu ka qenë prej kohësh anëtari më i frikshëm i Aleancës.

Përçarja po e bën gjithashtu të vështirë për Hezbollahun të zgjedhë një udhëheqës të ri, nga frika se infiltrimi i vazhdueshëm do të rrezikojë pasardhësin, kanë thënë katër burime libaneze.

“Në thelb, Irani humbi investimin më të madh që kishte për dekadat e fundit”, ka thënë Magnus Ranstorp, një ekspert i Hezbollahut në Universitetin Suedez të Mbrojtjes, i cili ka shtuar se dëmi i thellë i shkaktuar ndaj Hezbollahut zvogëlon kapacitetin e Iranit për të goditur kufijtë e Izraelit.

“Ajo e tronditi Iranin deri në palcë. Kjo tregon se si Irani është gjithashtu i infiltruar thellë: ata jo vetëm që vranë Nasrallahun, por vranë edhe Nilforoushan”, ka thënë ai.

Nilforoushan ishte një këshilltar ushtarak i besuar i Khameneit.

Kapaciteti i humbur ushtarak dhe kuadri drejtues i Hezbollahut mund ta shtyjë Iranin drejt llojit të sulmeve kundër ambasadave dhe personelit izraelit jashtë vendit, në të cilat ai angazhohej më shpesh përpara rritjes së forcave të tij përfaqësuese, sipas Ranstorp.

Irani kryen arreste

Vdekja e Nasrallahut ka nxitur autoritetet iraniane të hetojnë tërësisht infiltrimin e mundshëm brenda radhëve të Iranit, nga Garda Revolucionare e fuqishme e deri te zyrtarët e lartë të sigurisë, ka thënë një zyrtar i dytë i lartë iranian për Reuters. Ata janë veçanërisht të fokusuar tek ata që udhëtojnë jashtë vendit ose kanë të afërm që jetojnë jashtë Iranit, ka thënë zyrtari i parë.

Teherani filloi të dyshonte për disa anëtarë të Gardës që kishin udhëtuar për në Liban, ka thënë ai.  Shqetësimet u ngritën kur njëri prej këtyre individëve filloi të pyeste për vendndodhjen e Nasrallahut, veçanërisht duke pyetur për sa kohë ai do të qëndronte në vende specifike, ka shtuar zyrtari.

Ai është arrestuar së bashku me disa të tjerë, ka deklaruar zyrtari i parë, pasi u ngrit alarmi në qarqet e inteligjencës iraniane. Familja e të dyshuarit ishte zhvendosur jashtë Iranit, ka thënë zyrtari, pa identifikuar të dyshuarin apo të afërmit e tij.

Zyrtari i dytë ka thënë se vrasja ka nxitur mosbesim midis Teheranit zyrtar dhe Hezbollahut dhe brenda vetë Hezbollahut.

“Besimi që mbante gjithçka së bashku është zhdukur”, është shprehur zyrtari.

Udhëheqësi suprem “nuk i beson më askujt”, ka thënë një burim i tretë që është i afërt me institucionet e Iranit.

“Kambanat e alarmit” kishin rënë tashmë brenda Teheranit dhe Hezbollahut rreth infiltrimeve të mundshme të Mossadit (Agjenci izraelite e inteligjencës) pas vrasjes në korrik të komandantit të Hezbollahut, Fuad Shukr në një sulm ajror izraelit në një vendndodhje të fshehtë në Bejrut, ndërsa po takonte një komandant të IRGC-së, kanë thënë për Reuters dy burime të Hezbollahut dhe një zyrtar libanez i sigurisë. Kjo vrasje ndodhi disa orë pas vrasjes së liderit të Hamasit, Haniyeh, në Teheran.

Ndryshe nga vdekja e Haniyeh, Izraeli mori publikisht përgjegjësinë për vrasjen e Shukr, një figurë e profilit të ulët, të cilin Nasrallahu megjithatë e përshkroi, në funeralin e tij, si një figurë qendrore në historinë e Hezbollahut që kishte ndërtuar aftësitë më të rëndësishme të grupit.

Shukr ishte kyç për zhvillimin e armatimit më të avancuar të Hezbollahut, duke përfshirë raketa të drejtuara me saktësi dhe ishte përgjegjës për operacionet e grupeve shiite kundër Izraelit gjatë vitit të kaluar, ka thënë ushtria izraelite.

Frika iraniane për depërtimin izraelit në radhët e tij të larta shtrihet shumë vjet më parë. Në vitin 2021, ish-presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad, kishte thënë se kreu i një njësie të inteligjencës iraniane që supozohej të synonte agjentët e Mossadit kishte qenë vetë një agjent i agjencisë izraelite të spiunazhit, duke i thënë CNN turk se Izraeli kishte marrë dokumente të ndjeshme mbi programin bërthamor të Iranit, një referencë për një sulm të vitit 2018, në të cilin Izraeli mori një sasi të madhe dokumentesh tepër sekrete në lidhje me programin.

Gjithashtu në vitin 2021, shefi i spiunazhit të Izraelit në largim, Yossi Cohen, dha detaje rreth sulmit duke i thënë BBC-së se 20 agjentë joizraelitë të Mossadit ishin përfshirë në vjedhjen e arkivit nga një magazinë.

Paralajmërimi pas pejxherëve

Ftesa e Khameneit drejtuar Nasrallahut për t'u zhvendosur në Iran erdhi pasi mijëra pejxherë dhe radiolidhje të përdorura nga Hezbollahu shpërthyen në sulmet vdekjeprurëse më 17 dhe 18 shtator në Liban dhe Siri, ka thënë zyrtari i parë. Sulmet i janë atribuuar Izraelit, edhe pse shteti zyrtarisht nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Nasrallahu, megjithatë, ndihej i sigurt dhe i besonte plotësisht rrethit të tij të brendshëm, ka thënë zyrtari, pavarësisht shqetësimeve serioze të Teheranit për të infiltruar të mundshëm brenda radhëve të Hezbollahut.

Khamenei u përpoq për herë të dytë, duke i transmetuar një mesazh tjetër përmes Nilforoushan Nasrallahut javën e kaluar, duke iu lutur që të largohej nga Libani dhe të zhvendosej në Iran si një vend më i sigurt. Por Nasrallahu këmbënguli të qëndronte në Liban, ka shtuar zyrtari.

Disa takime të nivelit të lartë u mbajtën në Teheran pas shpërthimeve të pejxherëve për të diskutuar sigurinë e Hezbollahut dhe Nasrallahut, ka thënë zyrtari, por nuk pranoi të thoshte se kush mori pjesë në ato takime.

Njëkohësisht, në Liban, Hezbollahu filloi të kryente një hetim të madh për të spastruar spiunët izraelitë mes tyre, duke marrë në pyetje qindra anëtarë pas shpërthimeve të pejxherëve, kanë thënë për Reuters tri burime në Liban.

Sheikh Nabil Kaouk, një zyrtar i lartë i Hezbollahut, po drejtonte hetimin, ka bërë të ditur një burim i Hezbollahut. Hetimi po përparonte me shpejtësi, ka thënë burimi, përpara se një sulm izraelit ta vriste atë një ditë pas vrasjes së Nasrallahut. Një tjetër sulm në fillim të javës së kaluar kishte shënjestruar komandantë të tjerë të lartë të Hezbollahut, disa prej të cilëve ishin të përfshirë në hetim.

Kaouk kishte thirrur për të marrë në pyetje zyrtarë të Hezbollahut të përfshirë në logjistikë dhe të tjerë "të cilët morën pjesë, ndërmjetësuan dhe morën oferta për pejxherë dhe radiolidhje", ka thënë burimi.

Një "hetim më i thellë dhe gjithëpërfshirës" dhe po ashtu “spastrimi” ishte shumë i nevojshëm, pas vrasjes së Nasrallahut dhe komandantëve të tjerë, sipas burimit.

Ali al-Amin, kryeredaktor i “Janoubia”, një faqe lajmesh e bazuar në komunitetin shiit dhe Hezbollah ka thënë se raportet treguan se Hezbollahu ka arrestuar qindra njerëz për t'i marrë në pyetje pas sagës së pejxherëve.

Hezbollahu është lëkundur nga vrasja e Nasrallahut në bunkerin e tij të thellë në shtabin e komandës, i shokuar se sa me sukses depërtoi Izraeli në grup, kanë thënë shtatë burime për Reuters.

Mohanad Hage Ali, zëvendësdrejtor i qendrës “Carnegie” të Lindjes në Bejrut me fokus në Iran dhe Hezbollah, e përshkroi ofensivën si "infiltrimin më të madh të inteligjencës nga Izraeli" qëkur Hezbollahu u themelua me mbështetjen e Iranit në vitet 1980.

Përshkallëzimi aktual izraelit pason pothuajse një vit luftimesh ndërkufitare pasi Hezbollahu filloi sulmet me raketa në mbështetje të aleatit të tij Hamas. Grupi palestinez vrau 1.200 njerëz dhe rrëmbeu 250 të tjerë në një sulm ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, sipas të dhënave izraelite.

Hakmarrja e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Humbja e besimit

Ofensiva izraelite dhe frika nga më shumë sulme ndaj Hezbollahut kanë penguar gjithashtu grupin e mbështetur nga Irani që të organizojë një funeral mbarëkombëtar në një shkallë që pasqyron statusin fetar dhe udhëheqës të Nasrallahut, sipas katër burimeve të njohura me debatin brenda Hezbollahut.

"Askush nuk mund të autorizojë një funeral në këto rrethana”, ka thënë një burim i Hezbollahut, duke treguar situatën në të cilën zyrtarët dhe udhëheqësit fetarë nuk mund të shfaqen për të nderuar siç duhet liderin e ndjerë.

Disa komandantë të vrarë javën e kaluar u varrosën në mënyrë diskrete të hënën, me plane për një ceremoni të duhur fetare kur të përfundojë konflikti.

Hezbollahu po shqyrton mundësinë e sigurimit të një dekreti fetar për të varrosur përkohësisht Nasrallahun dhe për të mbajtur një funeral zyrtar kur situata ta lejojë, kanë thënë katër burimet libaneze.

Hezbollahu është përmbajtur nga emërimi zyrtar i një pasuesi të Nasrallahut, ndoshta për të shmangur bërjen e zëvendësuesit të tij një objektiv për një vrasje nga Izraeli, kanë thënë ata.

“Emërimi i një sekretari të përgjithshëm të ri mund të jetë i rrezikshëm nëse Izraeli e vret atë menjëherë më pas. Grupi nuk mund të rrezikojë më shumë kaos duke emëruar dikë vetëm për ta parë të vrarë”, është shprehur Amin./Koha

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Sllovakia, e gatshme t’i bashkohet planit të Kinës dhe Brazilit për luftën në Ukrainë

Sllovakia, e gatshme t’i bashkohet planit të Kinës dhe Brazilit për luftën në Ukrainë