Viktima njihej nga policia e Shtetit si kontigjent kriminal, ndërkohë që ai i kishte shpëtuar vrasjes disa herë në Tiranë dhe Fier. Në plagosjen e fundit që ka pasur në kryeqytet Pata, është larguar nga vendgjarja duke mos arritur të ndalohet për tu pyetur nga Policia.
Duke ju shmangur hetimeve, ai është shpallur në kërkim nga policia. Besohet se autorët janë paguar nga persona të tjerë, me qëllim eleminimin fizik të tij. Edhe vetë viktima e kishte ndjerë rrezikun e eleminimit, dhe kohët e fundit kishte filluar të lëvizite me automjet të blinduar. Mirëpo makina super e shtrenjtë nuk i ka hyrë në punë në çastin e duhur, pasi në ato moment Nelgert Pata, udhëtonte së bashku me shokun e tij Ari Halinani, me një automjet tjetër.
Hetuesit kanë shpresuar tek dëshmia e Ari Halinanit personit që ishte në shoqërinë e Patës në momentin e ekzekutimit, por ai sipas hetuesve ka qenë gojë kyçur duke deklaruar se ka dëgjuar vetëm krismat dhe dy persona të cilët janë larguar me vrap drejt një automjeti por pa shquar ata apo targën e mjetit.Ky automjet disa minuta pas krimit është gjetur nga policia tërësisht i djegur.
Vrasja në Greqi e hakmarja në Shqipëri
Hakmarrja mes dy bandave duket se s’do të ketë një fund. Madje çdo ditë e më shumë ajo po egërsohet, duke arritur të vrasin kokat kryesore të bandave përkatëse.
Zanafilla e historisë kriminale ka nisur vite më parë kur Jani Aliaj qëlloi me thikë shokun e ngushtë të Elton Çiços. Vrasja detyroi Çiçon të betohej për hakmarrje. Ngjarja ndodhi në vitin 2000.Dy të rinjtë nga Tepelena, emigrojnë në Greqi ku merren me aktivitete kriminale. Tre vite më vonë ata arrestohen dhe si për ironi të fatit vuajnë dënimin në të njëjtin burg. Konflikti nuk mungon as këtu. Elton Çiço qëllon me thikë Jani Aliaj ku ky i fundit mbetet i plagosur.
Pasi dalin nga burgu, të dy kthehen në Shqipëri, më të revoltuar me njëri-tjetrin, më të fuqizuar dhe filluan të rekrutonin të rinj, duke i bërë pjesë të bandave të tyre.Ndërsa vijonin aktivitetin kriminal, kryesisht në fushën e trafikimit të narkotrafikut, aq më shumë rritej dhe etja për hakmarrje, pasi veç plagosjes së shokut të Çiços nga Aliaj në vitin 2000, tani mes tyre kishte edhe një tjetër konflikt të hapur,atë të prishjes së pazareve të drogës.
Dhunimi i prindërve të Elton Çiços
Në mars 2015 dy të moshuar do të grabiteshin me dhunë dhe do të lidheshin në mënyrë ç’njerzore në banesën e tyre. Pak muaj më pas në korrik 2015 policia do të zbulonte 3 autorët e dyshuar të vjedhjes së 5 mijë eurove dhe dhunimit të të moshuarve, por tashmë djemtë e dy të moshuarve i kishin vetë identifikuar autorët dhë në këtë periudhë nisi kalvari i hakmarrjeve. Ervis Imeri e Robert Rama ishin persona të parë të vendosur në shënjestër të hakmarrjes së Elton Çiços, për krimin e kryer në familjen Çiçi në Tepelenë.
Vrasja e Robert Rama
Robert Rama nga Laçi ishte në kërkim nga policia, kur u vra. Ai u ekzekutua 2 muaj pas grabitjes. Në 11 qershor, në zonën e ish- Kënetës në Durrës, dy persona me motor, e qëlluan për vdekje dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.
Policia e pati të vështirë të fokusohet në vetëm një pistë hetimi, për shkak të kaluarës problematike të Ramës. Në atë kohë u tha se Robert Rama mund të ishte vrarë nga ekzekutorë të paguar.
31-vjeçari nga Kurbini, ishte përfshirë në konflikte të shumta në qytete të ndryshme të vendit, si dhe ka kryer disa grabitje me armë e dhunë. Ai ndërronte vazhdimisht shtëpinë, për shkak se ishte person i shpallur në kërkim dhe gjithashtu kërkohej nga personat me të cilët ishte në hasmëri.
Tritol Ervis Imerit
Mëngjesin e 12 korrikut të vitit të kaluar Ervis Imeri dhëndëri i një ndërtuesi pallatesh në kombinat,dalloi disa kallëpe tritoli poshtë makinës.Ai telefonoi në polici për atentatin që i kishin përgatitur.Ekspertët e RENEA-s, gjetën 3 kallëpë eksplozivi C4, detonatorin dhe dy bateri 9 volt që do aktivizonin shpërthimin.
Agjentët e vrasjeve në Drejtorin e Tiranës kuptuan se kishin të bënin me një nga të dyshuarit e grabitjes me armë të çiftit të moshuar në Tepelenë. Por përsëri nuk e besuan, se ai kishte zbuluar rastësisht atentatin. Policia dyshonte se Imeri e kishte vendosur vetë tritolin poshtë makinës, për t’u larguar nga vendi.
Ervis Imeri në atë kohë ishte një nga të dyshuarit e grabitjes me armë të çiftit të moshuar në Tepelenë, ngjarje e ndodhur mesnatën e 31 marsit të këtij viti në lagjen “Demokracia” në Tepelenë, ku 4 persona të maskuar e të armatosur, nën kërcënimin e armës dhe dhunës grabitën banesën e të moshuarit Naim Çiçi.
Sipas akuzës, katër grabitësit, pasi kanë rrahur çiftin Çiçi, u kanë grabitur atyre shumën prej 5 mijë eurove dhe disa sendeve me vlerë dhe më pas janë larguar me një makinë, të cilën policia thotë se e kishin vjedhur për ta braktisur më pas dhe vijuar arratisjen e tyre me makinë tjetër.
Policia tha në atë kohë se 31-vjeçari Imeri ka qenë një nga grabitësit e kësaj ngjarje dhe për këtë fakt i ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Gjirokastrës. Për këtë ngjarje, ishin shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë pjesmarrës në grabitjen e 31 marsit, ku njëri prej tyre Robert Rama, është vrarë.
Këputja e këmbës Imerit
Në pamundësi për të vrarë Ervis Imerin, u godit vëllai i tij, Eltoni.Oficeri i policisë ushtarake ishte duke shkuar në punë si çdo mëngjes, kur makina e tij shpërtheu nga tritoli. Pamjet e tmerrshme pas atentatit u transmetuan në çdo media mëngjesin e 9 dhjetorit të vitit të kaluar.
Elton Imeri tregoi se kishte dalë me vetëm një këmbë nga makina. “Isha vetëm në makinë, kur ndodhi shpërthimi, kam mundur të dal prej andej dhe kam ecur për disa metra me një këmbë. Pastaj më ndihmoi një shofer furgoni që nuk e njihja fare”-u shpreh ai për mediat.
Unë dyshoj se shkak i ngjarjes mund të jetë një grabitje e bërë në Tepelenë mesnatën e 31 marsit të këtij viti. Një nga autorët ka qenë shoku i vëllait tim Ervisit.
Vëllain tim e kanë kërcënuar dhe më pas ai u arrestua për moskallëzim krimi. Kjo që më ndodhi mua s’është hera e parë, në korrik vëllait tim iu vu 600 gr tritol në makinë, dhe që nuk shpërtheu sepse e pa në kohë”-ka deklaruar Imeri në media.
Vrasja e Elton Çiçit
Pa kaluar shumë kohë nga seriali i kësaj hakmarje, vritet në zonën e ish-bllokut Elton Çiçi, i njohur si kushëri i kryebashkiakut aktual të Tepelenës.
Çiçi njihej nga policia si person problematik, dhe financues i kultivimit të parcelave të hashashit në Tepelenë. Çiçi, kishte zgjedhur ditën e 1 majit, të pushonte në lokal “De Niro” në ish-bllok në shoqërinë e mjekut Redjan Rahja dhe një gazetari.
Me vete, Çiçi kishte dhe një pistoletë të cilën nuk mundi ta vere në asnjë moment në punë, për tu vetëmbrojtur. Kjo pasi autori i krimit ka hyrë “blic” në lokal. Në kokë kishte vendosur një paruke, dhe mbi të një kapele.
Ai është afruar shumë afër Çiçit dhe e ka qëlluar këtë të fundit me dy plumba nga shumë pranë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë më pas punonjësi i policisë dhe Rahja, kanë fshehur pistoletën pa lejë që Çiçi mbante me vete dhe disa sende personale. Pas këtyre veprimeve ata janë arrestuar nga policia përf fshehjen e provave.
Ndërkohë disa muaj pas këtij krimi të rëndë, policia njoftoi se kishte indetifikuar autorët e vrasjes dhe kishte shpallur në kërkim ata. Policia tha se vrasësi ishte Jani Alia, ndërsa njeriu që e kishte ndihmuar quhej Renato Milloshi, djali i Hysni Mylloshit.
Plagosja e Andi Mustafaraj
Gjashtë muaj nga vrasja në afërsi të ish-bllokut i Elton Çiço, ka vijuar sërisht seriali i vrasjeve për hakmarrje, ku në Tiranë një person ende i paidentifikuar ka dashur të ekzekutojë shokun e ngushtë të Çiçit, Andi Mustafaraj nga Tepelena.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm 100 metra nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ndërkohë që strukturat e kësaj të fundit nuk kanë dijeni mbi identifikimin dhe vendodhjen e autorit. 29-vjeçari, është qëlluar me tre plumba, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk i ka marrë jetën. Sipas mjekëve të spitalit të Traumës, një nga plumbat e ka prekur në shpatull, një tjetër në krahë dhe tjetri nuk e ka kapur fare në trup.
Nga të dhënat e policisë rezulton se vrasësi e ka ndjekur gjatë të dëmtuarin, duke punuar me plan tëg caktuar. Mustafaraj, sapo ishte ulur në kafene “Merlin Monro”, që ndodhet prapa ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”, kur teksa kishte porositur një kafe dhe qëndronte ulur në një nga tavolinat e jashtme të lokalit,është qëlluar menjëherë nga një person i vetëm.
Dëshmitarët thanë se atentatori ka qëlluar tre herë drejt, Andi Mustafarajt, i cili ndodhej vetëm në kafene. Pas tre krismave, atentatori është larguar me vrap drejt bulavardit “Bajram Curi”, ku pikërisht në këtë vend e priste një makinë dhe është larguar me shpejtësi, pa u vënë re nga askush. Mustafaraj njihet si person që ka pasur shoqëri të ngushtë me shtetasin nga Tepelena Elton Çiçi, i vrarë në 1 maj të 2016 në zonën e ish-bllokut.
dy.b/shqiptraja.com