TIRANE- Një histori “mafioze” kërcënimesh, deri edhe me vdekje ka shoqëruar gjatë viteve të fundit aksionerët e kompanisë “Ceament Albania” ku ishte punësuar si nëndrejtor dhe Anwar Rizik. Palestinezi 43-vjeçar u ekzekutua tre ditë më parë nga një kurth me granatë në derën e shtëpisë në Tiranë, vetëm pak metra larg ambasadës amerikane.

Gazeta Shqiptarja.com publikon sot dokumenta ekskluzive hetimore dhe gjyqësore sipas të cilave njëri nga aksionerët e "Ceament Albania", informonte se kishte dijeni për një plan ekzekutimi të njërit prej aksionerëve londinezë të kompanisë, duke paguar për këtë vrasje edhe shumën prej 1.5 milionë eurosh. Mesazhet kërcënuese mes aksionerëve të të njëjtës kompani mund të hedhin dritë mbi atë çka ndodhi me vrasjen dy ditë më parë me tritol në derën e shtëpisë të shtetasit palestinez që punonte drejtor në këtë fabrikë.

Ne shkrimin e sotëm të gazetës Shqiptarja.com lexoni të zbardhur vendimin gjyqësor të dënimit të Bashkim Zallës,ku ai tregon skemën për planin e eliminimit të Charles Bouri duke paguar plot 1.5 mln euro. Ai është njërit prej pjesëtarëve të familjes Zalla në Fushë- Krujë, i cili në shkurt 2012 u dënua me 4 muaj burg për kërcënim ndaj njërit prej aksionerëve.

HISTORIA E "CEAMENT ALBANIA"
Në vitin 1996 dy shtetas londinezë Charles dhe Aleksandër Bouri (Aleks) së bashku me shtetasin shqiptar Besim Dika themeluan kompaninë në Tiranë. Kësaj nisme iu bashkëngjit edhe Jorge Jeha një shtetas libanez, i cili në ambientet e biznesit në Tiranë njihet me nickname "Xhorxh Libanezi" ose "Xhorxhi i çimentos". Të katër aksionerët e kompanisë, përveçse administronin fabrikën "Ceament Albania" në Fushë-Krujë, po punonin edhe në qytetin e Elbasanit. Siç rezulton edhe nga dokumentet që po botohen sot ekskluzivisht te Shqiptarja.com, kompania e themeluar mes londinezëve, libanezit dhe shqiptarit, kishte për qëllim përgatitjen e çimentos dhe përpunimin e saj, duke e tregtuar brenda dhe jashtë vendit. Ndërkaq, biznesmeni Besim Dika dhe Biznesmeni Jorge Jeha, apo Xhorxh Libanezi, kishin themeluar në vitin 2004 një tjetër firmë së bashku "I.T.T Invest sh.p.k" e cila, sipas vendimit të gjykatës që disponon shqiptarja.com, do të merrej me shërbime të ndryshme transporti. Shtetasi palestinez Anëar Rizik, ishte drejtor në fabrikën e katër aksionerëve, që kishin probleme të mëdha me njëri-tjetrin, e që sipas dokumentave të gjykatës kanë kërcënuar edhe me pagesa të larta, plot 1.5 milionë eurosh, për të ekzekutuar njërin prej aksionerëve.
MESAZHET KERCENUESE ME ELEMINIM
Në shkurt të këtij viti, gjykata ka dënuar me katër muaj burg shtetasin Bashkim Zalla, me katër klasë shkollë, banor në Zallë të Fushë-Krujës, pasi ky i fundit, ka kërcënuar aksionerin e kompanisë George Jeha, apo Xhorxh Libanezi. Në mesazhin e pasqyruar nga vendimi gjyqësor, shtetasi Bashkim Zalla kërcënon shtetasin George Jeha, duke i bërë të ditur se ai kishte dijeni të plotë për planin e tyre për vrasjen e shtetasit Charles Bouri duke paguar plot 1.5 milionë euro për këtë vrasje. Charles Bouri është aksioneri londinez i kompanisë "CEAMENT Albania". Madje Bashkim Zalla, i cili në fakt nga kjo fabrikë merr një pjesë të ardhurash për shkak të ndotjes së shkaktuar nga fabrika (një shumë parash që nuk e ka marrë kohët e fundit pasi siç pretendohet në vendimin e gjykatës fabrika ka qenë në vështirësi financiare), ka kërcënuar George Jeha-n se nëse ky plan do të vihej në zbatim, atëherë ai në shenjë hakmarrje do ta vriste atë. Në fund të mesazhit shtetasi Bashkim Zalla i thotë biznesmenit George Jeha se informacionin që kishte do ia transmetonte dhe Aleksit, i cili është aksioneri tjetër i kompanisë dhe vëllai i Charles që ai prentendon se e di që do të eleminohet. Ndonëse shtetasi Bashkim Zalla me anë të kësaj sms-je pretendon se ka dijeni mbi një rivalitet të egër mes aksionarëve të kompanisë ku punonte dhe 43-vjeçari i vrarë Anëar Rizik, kjo sms është denoncuar në prokurori nga vetë biznesmeni Jorge Jeha, i cili ka pretenduar se sms-ja ishte një kërcënim ndaj jetës së tij nga ana e Bashkim Zallës.
Vendimi i gjykatës së Apelit mban datën 29 shkurt 2012 dhe e ka dënuar shtetasin Bashkim Zalla për keqpërdorim të thirrjeve telefonike ndërsa rezulton se ka kërcënuar një nga aksionerët e fabrikës së Çimentos në Fushëkrujë, George Jehan. Bashkim Zalla është dënuar me katër muaj burg, dhe në këtë kohë, ndoshta vazhdon të kryejë dënimin. Në mesazhin që përmendet nga Bashkim Zalla, rezulton se të gjithë emrat e vendosur aty me iniciale, janë të gjithë aksionerët e kompanisë "Ceament Albania". "Ti Xhorxh dhe Besimi i paguani me vra Çarlin nga 1.5 milion euro, kështu më tha L.M. po për ju kush do paguaj se nuk i shpëtoni dot krimeve tuaja fill pas Carlit mendoni se do jetoni, kam për tju q.. robt të gjithëve. Ju vras, do njoftoj Aleksin për planet tuaja. B.Zalla.", ishte mesazhi i Bashkim Zallës. Kështu Xhorxh është George Jeha, aksioner në fabrikë; Besimi është Besim Dika, gjithashtu aksioner. Ndërkohë që personi që Bashkim Zalla e përmend me inicialet L.M, është burimi që i ka thënë se Bashkimi dinte planet e Besimit dhe Xhorxhit, për të eleminuar aksionerin tjetër londinez Charles Bouri. Ky i fundit, Charles Bouri, ishte edhe në ceremoninë mortore të dy ditëve më parë në Kishën Ortodokse, si miku i ngushtë i Anëar Rizik.
(sg/shqiptarja.com)