Gjykata e Durrësit ka dënuar me burgim të përjetshëm Hysen Metën, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Meta e më pas i groposi trupin. Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të Shënavlashit në Durrës, që u zbulua më 10 shkurt 2024.

E motra e tij, Hygerta Meta është dënuar me 8 vite burg, ndërsa i vëllai, Amarildo Meta është dënuar me 5 vite burg. E ëma e tre fëmijëve, apo bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta është dënuar me 3 vite burg. Në sallën e gjyqit i pranishëm ka qenë vetëm Amarildo Meta.

Prokuroria e Durrësit, kishte kërkuar dënimin me 30 vite burg për Hygerta Metën, vajza e viktimës, me akuzat për “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare” dhe “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs”. Gjykata vendosi të ndryshojë akuzën për vrasje, duke e zëvendësuar me “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe duke e dënuar me 8 vite burgim.

Hysen Meta – “Vrasja pёr shkak tё marёdhёnieve familjare”, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armёve, armёve shpёrthyese dhe municionit”, “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs” – burgim i përjetshëm
Hygerta Meta - “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, dhe  “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs” – 8 vite burgim
Amarildo Meta - “Fshehja dhe asgjesimi i kufomёs” – 5 vite burgim
Blerina Meta - “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” – 3 vite burgim

I ndjeri Pëllumb Meta u vra mesditën e 12 shkurtit 2024 pasi u kthye nga puna. Në kuzhinën e banesës së tij, ai u qëllua me armë nga djali Hysen Meta, ku e pranishme ishte edhe vajza Hygerta Meta. Djali qëlloi 4 herë në drejtim të tij, por u prek nga 3 plumba, 1 në kokë dhe 2 në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pasi vranë babain, motër e vëlla e fshehën krimin duke zhdukur provat si dhe duke groposur kufomën e të atit.

Ata stuktuan vrimën në mur ku kishte përfunduar njëri nga plumbat, si dhe spostuan divanin në të cilin ka qenë i shtrirë viktima. Më pas mbështollën trupin e pajetë të babait, e groposën në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës dhe më pas kanë vijuar me largimin automjetit nga banesa, zhdukjen e sendeve personale të viktimës si dhe zhdukjen e armës së krimit. Për fshehjen e kufomës dhe të provave ishin të përfshirë edhe vëllai tjetër Amarildo dhe nëna e tyre Blerina.

Pasi zhdukën të gjitha provat, djali Hysen Meta shkoi në Policinë e Durrësit dhe bëri kallëzim me pretendimin se babai i tyre ishte larguar nga banesa. Por deklaratat kontradiktore dhe jo të besueshme në atë kohë, bënë që grupi hetimor i policisë së Durrësit të dyshonte mbiu zhdukjen reale nga banesës të Pëllumb Metës. Pasi u zbardh krimi dhe u arrestuan fëmijët, gjatë gjyqit, vajza Hygerta Meta deklaroi se babain e vrau vëllai Hyseni.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit:

VENDOSI:

1.         Deklarimin fajtor të të pandehurit Hy.M për kryerjen e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, të parashikuar nga neni 79/c i K.Penal, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

2.         Deklarimin fajtor të të pandehurit Hy.M për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuar nga neni 278/4 i K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

3.         Pushimin e akuzës për të pandehurin Hy.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 303 dhe 25 i K.Penal.

4.         Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, në bashkimim të dënimeve, dënimin e të pandehurit Hy.M me një dënim të vetëm me burgim të përjetshëm.

5.         Deklarimin e fajtor të të pandehurës Hyg.M për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetëstë parashikuar nga neni 301 i K.Penal, dhe dënimin e saj me 3 (tre) vjet burgim.

6.         Deklarimin fajtore të të pandehurës Hyg.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 303 dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.

7.         Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurës Hyg.M me një dënim  të vetëm me 8 (tetë)  vite burgim.

8.         Deklarimin fajtor të të pandehurit A.M për kryerjen e veprës penale “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 303 dhe 25 të K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.

9.         Deklarimin fajtore të të pandehurës B.M për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuar nga neni 301 i K.Penal dhe dënimin e saj me 3 (tre) vite burgim.

10.       Vuajtja e dënimit nga i pandehurit Hy.M të kryhet në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa vuajtja e dënimit nga të pandehurit Hyg.M, A.M dhe B.M të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

11.       Në aplikim të nenit 190 të K.Pr.Penale, në lidhje me provat materiale, të disponohet sipas pjesës arsyetuese të këtij vendimi.

12.       Shpenzimet e kryera në fazën e hetimit paraprak dhe shpenzimet gjyqësore u ngarkohen në mënyrë solidare të pandehurve Hy.M, Hyg.M, A.M dhe B.M.

13.       Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

U shpall në Durrës, me datë 23.10.2025