TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, ka pasur si ‘frymëzues politik’ Taulant Ballën dhe Edi Ramën.

“Problemi është që nuk është thirrur Taulanti në Gjykatë. Gjithçka është bërë për votat e Taulant Ballës. Gjithçka është drejtuar nga shtabi i tij politik. Gjaku i derdhur dhe 4 të plagosur kanë frymëzues politik Taulant Ballën dhe bashkëpunëtorin në krim, Edi Ramën. Gazment Bardhi, ka pjesën e vet për të cilën duhet ta sqarojë gjykata. Njëri është në varr, tjetri në burg", tha Berisha në ‘Opinion’.

E menjëhershme nga qenë përgjigja e Gazment Bardhit, ish-Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtues i Strukturës së Armatosur për Mbrojtjen e votës. Një deklaratë e tillë për Bardhin është e turpshme dhe se Berisha duhet të heshttë.

“Pasi prokuroria po zbardhë të vërtetën për ngjarjen e Elbasanit, Sali Berisha që barazoi sakrificën e demokratëve me Bandat e Elbasanit, duhet të ulë kokën dhe të heshtë. Sali Berisha për interesa politike të ditës foli me të njëjtën gjuhë si Taulant Balla për atë ngjarje. Pasi doli zbuluar në gënjeshtër, nuk pres të kërkojë ndjesë, por të paktën të heshtë. E vërteta do dal, dhe ajo do turpërojë Sali Berishën njëlloj si Edi Ramën e Taulant Ballën”, shkruan Bardhi.

Berisha nuk ka lënë pa sulmuar as Enkelejd Alibeajn, kreun e grupit parlamentar të PD-së. Ai thotë se nuk janë të ftuar në protestën e thirrur prej tij, teksa nuk i ka kursyer as etiketimet si ‘zjarrfikës’.

“Ai bashkë me Bashën nuk janë të këshilluar të vijnë. Kjo për shkak se janë si zjarrfikës dhe demokratët nuk i duan. Kjo është këshillë, jo përjashtim. Dhashë një këshillë, nuk kam thënë ndalim”, tha Berisha.

As në këtë rast nuk i ka munguar edhe përgjigja e Alibeajt, i cili tha PD-ja nuk do të rresht së luftuari kundër anti-vlerave që sjellin njerëzit ‘Non Grata’, si ai.

“Në këto 30 vjet dy gjëra nuk kanë ndryshuar në Shqipëri: nostalgjikët e komunizmit dhe gjuha denigruese e Sali Berishës për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai. E sigurt është që të gjithë sa më sipër janë non grata të vlerave të qytetarisë, për të cilat PD do vazhdojë të luftojë cdo ditë”, përfundoi Alibeaj.