SARANDË- Dhjetëra familjarë presin me ankth jashtë dyerve të Gjykatës së Sarandës, aty ku prej orës 12:00 po zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj 11 personave të arrestuar pas vrasjes së turistit portugez në Ksamil.
Dëgjohen thirrjet e familjarëve, mes tyre dhe per 29-vjeçarin, Sokrat Vata, i dyshuar si autor i krimit.
Të arrestuarit mbërritën me pranga në duar, të shoqëruar dyshe, nën masa të rrepta sigurie nga forcat “Shqiponja” dhe FNSH-ja.
Emocionet janë të forta jashtë gjykatës, ku dëgjohet dhe thirrja e një nëne:
“Shpirti i mamit, të dua shumë!”
Të arrestuarit janë punonjës të lokalit “Principote”, mes tyre kamarierë dhe persona që shërbenin si truproja. Po kështu dy shtetas turq, që ndihmuan autorin në tentativën për arrati.
Sipas hetimeve, konflikti nisi në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas vijoi në plazhin e lokalit “Paradise”. 20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes, dyshohet se u godit fillimisht me grushte nga David Heurtevent, alias Danjel Gjana, shpallur në kërkim. Ndërsa goditjen fatale me thike e mori nga Sokrat Vata. Gjana dhe Vata akuzohen për Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim. Ndërsa pronari i lokalit, Bekim Bulica është në kërkim për moskallëzim krim.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Report Tv ka siguruar momentin kur Sokrat Vata dhe 10 të tjerë të përfshirë në vrasjen e Portugezit te ‘Principotes’ në Ksamil mbërrin në Gjykatën e Sarandës.
Nga pamjet e siguruara shihet se 29-vjeçari veshur me një bluzë të errët dhe pantallona të shkurtra është i pari që zbret makina e policisë. Pas tij nën masa të rrepta sigurie nga forcat “Shqiponja” dhe FNSH-ja shoqërohen edhe të tjerët.
Ndërkohë në momentin që 11 të arrestuarit hyjnë drejt gjykatës, të pranishëm kanë qenë edhe familjarët e tyre.
"Shpirti i mamit, të dua shumë! Zemra ime", dëgjohet të thotë një grua, teksa i thonë gazetarëve që të mos filmojnë.
"Shpirt', Sokrat", dëgjohet të thotë një tjetër.










Komente
Komento