FRANCË - Trupi i studentes 23-vjeçare për histori arti është gjetur i dekompozuar në acid në apartamentin e saj në Toulouse.

Prokurorët thonë se vrasja është frymëzuar nga seriali televiziv amerikan “Breaking Bad”.

Tre studentë akuzohen për vrasjen e Eva Bourseau, e cila raportohet se u vra për një borxh prej rreth 6 mijë euro që kishte të akumuluara nga blerja e drogës.

Një prej studentëve që ka pranuar krimin u ka rrëfyer prokurorëve se, janë nisur nga skenat e serialit ku një mësues kimie hyn në botën e trafikut të drogës dhe përdor acidin për të djegur trupat e konkurrentëve.

Eva Bourseau
(Në foto: Eva Bourseau, studentja 23-vjeçare e vrarë)

Vrasja e Bourseau ndodhi kur dy prej tre studentëve të akuzuar shkuan në shtëpinë e 23-vjeçares për t’i marrë paratë që u kishte borxh, raporton “The Local France”.

Kur ajo u tha se nuk ishte në gjendje të shlyente borxhin, ata e kanë sulmuar duke e lënë të vdekur pas goditjeve në kafkë.

apartamenti
(Në foto: Apartamenti ku jetonte studentja franceze)

Studentët më pas kanë planifikuar shpërbërjen e trupin në acid duke u rikthyer disa herë në apartament për të inspektuar kufomën.

Prokurorët deklarojnë se, ata kanë përdorur freskues ajri për të maskuar aromën e dekompozimit të kufomës.