72 orë pas masakrës së Fushë Krujës, hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë të jenë në pikën zero. Hetuesit, përveç dyshimeve të personave që mund të jenë të përfshirë, nuk kanë shkuar më shumë se kaq. Që prej ditës së atentatit kontrolle të shumta janë kryer në fshatrat përqark për t’u pyetur rreth ngjarjes. Një pjesë nuk janë gjetur, ndërsa disa të tjerë rezultojnë të jenë larguar nga vendi disa ditë para ngjarjes, kjo referuar sistemit TIMS.

Por, një burim i policisë thotë se përtej të dhënave të sistemit, po verifikohen sërish, pasi gjithsesi mund të jenë brenda vendit dhe nuk përjashtohet mundësia që të kenë manipuluar. Prokuroria insiston në pyetjen e tyre për vrasjen e Brilant Martinajt, Diklen Vatës dhe Besmir Hoxhës, si të vetmen hapësirë ku mund të shfaqen detaje të autorëve. Janë qindra orë filmime të kamerave të sigurisë që vijojnë të verifikohen. Çdo automjet i dyshimtë është në lupë verifikimi, ndërsa do të duhet kohë për të pasur rezultate.

Aparatet celular që kanë pasur viktimat janë shkrumbuar nga flakët, pavarësisht se kanë kaluar për ekspertizë nuk pritet të ndihmojnë në hetime, për shkak të dëmtimeve të rënda. Hetuesit po punojnë në lidhjen e detajeve edhe me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në zonë, ndër to edhe vrasja e Xhelal Reçit, ngjarje kjo e pazbardhur, për të kuptuar mbi konfliktet e hapura mes grupeve kriminale.

Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha u qëlluan me rreth 60 plumba kallashnikovi në makinën Volkswagen Passat, me të cilën po lëviznin drejt Laçit. Nga breshëria e plumbave makina mori flakë dhe për pasojë prej tyre u shkrumbuan. Vetëm Vata mundi të dalë nga makina, por agresorët u rikthyen sërish dhe u siguruan të vdiste.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:40
Atentati me 3 të vrarë në Fushë-Krujë/ Del FOTO, pak çaste pasi atentatorët qëlluan me breshëri plumbash drejt makinës

1658379731_Screenshot1.jpg

Ky është momenti vetëm pak çaste pasi atentatorët qëlluan breshërin e plumbave të kallashnikovit në drejtim të Brilant Martinajt, Besmir Hoxhes dhe Diklen Vatës, të mbetur të vdekur në vend. Në këtë foto të shkrepur me pamje ballore të makinës dallohen qartë shenjat e plumbave që kanë kapur automjetin tip Volkswagen Passat, ndërsa tashmë makina është në flakë.

Siç shihet në pamje, flakët e makinës janë në pjesën e brendshme të saj, çfarë ka shtuar dyshimet e hetuesve për një zjarrvënie të qëllimshme nga ana e autorëve. Për këtë arsye ata janë në pritje të rezultateve të ekspertizës për të kuptuar nëse ka ose jo gjurmë të lëndëve djegëse.

Ora 13:03
'Unë s'po dal dot nga kjo rrugë', mesazhi i Brilant Martinaj pak ditë para se të vdiste

 

Brilant Martinaj, vetëm 23 vjeç, i vrarë të dielën e 17 korrikut, njihej për rekorde të shumta kriminale. Por në muajt e fundit kishte arritur ti mbyllte punët me organet e drejtësisë. Pavarësisht kësaj, i riu përveçse ishte mjaft aktiv në rrjetet sociale dhe njihej për miqësitë me njerëz të njohur, përpiqej të këshillonte të afërm e miq më të ri, që të ecnin në rrugë të drejtë.

“Mos u merrni me këto punë, se edhe unë që jam marrë nuk dalë dot më nga kjo rrugë”, citohet të ketë thënë Brilant Martinaj pak kohë para se të vritej, me njerëzit e tij të njohur.