TIRANE- Kur kanë kaluar 5 ditë nga vrasja e 2 vëllezëve shqiptarë, 3 km brenda kufirit greke, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri i kërkoi dje sqarime kryepolicit grek, Kris Kontaridi. Rrethanat e vrasjes së Elvis dhe Melsi Çollakut e të oficerit grek Elias Kosteni si dhe çështja e toponimeve, ku ndalohet hyrja e emigrantëve shqiptarë, ishin në fokus të takimit të Tahirit me Kontaridin.

Pak më parë Tahiri ishte shprehur se pretendimet e publikuara nga familjarët dhe nga media, për dhunim të viktimave nga policia greke, nuk ishin të vërteta. Ai shtoi se “Ishim në kontakt me policinë greke, oficerët shqiptarë u përfshinë në verifikimin për këtë çështjeje.

Më vjen keq dhe ngushëlloj familjet e tyre”. Ndërkohë, nga politika, deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, dje në Kuvend tha se “Para disa ditëve neve na janë vrarë dy shqiptarë. Deri kur do të qëndrojnë qeveritë shqiptare të heshtura para shtetit grek”.

Ndërkaq, kryeparlamentari Ilir Meta siguroi se do të kërkonte sqarime nga pala greke. Sakaq, dje doli ekspertiza mjeko-ligjore për vëllezërit Çollaku, ku siç pritej familjarët e kanë kundërshtuar totalisht dhe kanë kërkuar një të re nga të huajt, pasi aty thuhej se “Nuk ka shenja dhune”, teksa xhaxhai, nëna e xhaxhai shprehen të sigurtë se Melsit i kishin thyer brinjët e më pas e kanë vrarë. “Djemtë janë torturuar më pas janë vrarë. Kanë thyerje të gjymtyrëve dhe janë masakruar në pjesë të tjera të trupit. Shteti të mos heshtë. Djemtë nuk ishin trafikantë, u vranë pabesisht nga policia greke. Njeri ka 5 plumba, tjetri ka 3 dhe trupat ishin te goditur te masakruar. I sollën lakuriq me gjak e plage te hapura. Jemi gati t’i zhvarrosim përsëri.

Ekspertiza po manipulohet, do sjellim ekspertë të huaj për të zbardhur të vërtetën”-thonë ata. Sipas ekspertizës së djeshme mjeko-ligjore, vëllezërit ishin goditur nga një distancë e afërt, ashtu siç thuhej edhe në ekspertizën e policit grek, ku ishte qëlluar nga 5 deri në 10 metra largësi. Lufta mes tyre u zhvillua rreth orës 00.45 të të dielës në Vrontero të Prespës së Vogël, 3 km brenda kufirit grek, ku sipas policisë greke, shqiptarët qëlluan me kallashnikov, kurse oficerët kishin armë MP5. Grekët thanë se antiplumbi mund ta kishte shpëtuar policin e tyre, ndërsa shqiptarët ishin akuzuar për disa grabitje në zonë e trafik njerëzor.

Shkrimi u publikua sot (13.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)