TIRANE- Zbardhet dëshmia e Isuf Hasa, i arrestuar si autor i vrasjes së 81 vjecarit, më 13 janar 2025 në fshatin Shëngjin i Vogël, Tiranë.
Hasa i cili u vendos në pranga më 15 janar 2025, para oficerëve gjyqësore ka shpjeguar gjithë dinamikën dhe motivin pse e kreu krimin.
Autori ka treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Xhemal Metës, kishin pirë kafe dhe aty kishin debatuar. Sipas pretendimeve të Hasës, viktima përveçse e bullizonte dhe ofendonte, gjithashtu i kishte ngacmuar edhe gruan.
"Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre netë në shtëpi. Xhemali më merte në telefon dhe më thoshte: Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas. Kisha kohë që nuk po e duroja dot", citohet të ketë thënë Isuf Hasa.
Më tej autori ka nënvizuar se pasi e vrau fillimisht i mori lekët dhe më pas shkoi te shtëpia e vajzës në Vorë.
"Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte sepse mi kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar te stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë", shtoi Hasa.
Burime nga policia tregojnë se Isuf Hasa është shoqëruar edhe pas ngjarjes dhe është lënë i lirë qëllimisht, ndërsa fillimisht mohonte të kishte lidhje. Por më pas, nëpërmjet edhe provave, agjentët shkuan për ta arrestuar. Këtë herë, ai u prangos në shtëpinë e tij.
Xhemal Meta, u gjet i pajetë pranë shtëpisë së tij. Siç u raportua dhe në Report Tv, viktima kishte dalë nga shtëpia për në kafen e fshatit. Meta, prej vitesh jetonte i vetëm në Shëngjin të Vogël, pjesë e njësisë administrative Zall-Bastar, ndërsa familjarët jetojnë në Tiranë, përfshirë edhe bashkëshorten.