TIRANE - Një tjetër adoleshent, bashkëautor në vrasjen e 17 vjeçarit Gjergj Prenga mbrëmjen e 28 marsit, është arrestuar sot nga policia e Tiranës.

Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit ekzekutoi urdhërndalimin e prokurorit për A. Ndocaj. 16 vjeçari lindur në Lezhë dhe banues në Tiranë “rezulton të jetë bashkëautor në ngjarjen e datës 28.03.2013, ku rreth orës 19.00, në bashkëpunim me Besard Seci, Skerdilajd Hyka, Orineli Bacinofki dhe Jetmir Katana në kryqëzimin e rrugës “Ilia Shyti” dhe “Violeta Manushi”, pas një konflikti të castit kanë qëlluar me sende të forta mprehëse shtetasit Gjergj Prenga i cili si pasojë ka gjetur vdekjen. “- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë të Tiranës të shpërndarë sot në mëngjes.

Materialet do t’i kalojne Prokurorise se Rrethit Gjyqesor Tirane per vepren penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 dhe 25 te K.Penal.

GJERGJI U QËLLUA ME LEVË

Vrasja ndodhi rreth orës 19:40 në kryqëzimin e rrugës “Ilia Shyti” dhe “Violeta Manushi”. Pas një konflikti të çastit djaloshi u qëllua disa herë me levë nga grupi i të rinjve.

Gjergji ndërroi jetë për shkak të hemoragjisë. Dyshohet se të rinjtë njiheshin mes tyre dhe po sqaronin një sherr të hershëm i cili vijoi nga përdorimi i fjalëve të rënda deri në përdorimin e dhunës. Nga ky sherr mbeti i plagosur dhe Joland Rroko.

Besard Seci, Skerdilajd Hyka, të dy 18 vjeçarë u arrestuan në flagrancë ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim. Sot është bërë arrestimi i Ndocaj mbeten në kërkim Orineli Bacinofki dhe Jetmir Katana.

(sg/shqiptarja.com)