GJIROKASTER-Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi para dy ditësh i çiftit nga kushëriri i parë. Burimet pohojnë se ka pasur një marrëveshje mes dy djemve të xhaxhallarëve për ngritjen e murit rrethues që ndan shtëpitë që më tepër i shërbente Apostolit sesa Alekos.

Ky mur që u bë objekt konflikti deri në vrasjen e Alekos dhe bashkëshortes së tij, është ndërtuar në marsin e 2010 me miratimin e Alekos ndonëse ky miratim ishte thjesht verbal dhe asgjë shkresore. Në atë periudhë Aleko, ka qenë në emigracion dhe kur ka ardhur në dhjetor të 2009, ka rënë në dakordësi me Apostolin për ndërtimin e këtij muri që i vinte në ndihmë 73 vjecarit, për të shërbyer si pikë bazike për shkallën që do t’i lejonte korridor ajror për në katin e dytë të banesës.

Muri u ndërtua nga vetë Apostoli dhe që në atë periudhë, kishte marrë edhe bekimin e nënës së ndjerë të Alekos që Apostoli e konsideronte si nënën e vet. Aleko kishte dhënë miratimin pa asnjë lloj diskutimi sepse nuk i cënonte shumë territorin pronësor vecse 25 cm në brendësi të truallit të tij, por kjo për Alekon në atë periudhë, nuk ishte cënim.

Konfliktet mes Apostolit dhe Alekos, gjeneruan pas martesës së Alekos me Afërdita Gjokolin. Mësohet se kjo e fundit, ka shtyrë Alekon që të rishikojë miratimin e dhënë që në 2010 për murin rrethues pasi cënonte pronësinë e Alekos.

Ky i fundit, e ka shmangur disa kohë këtë kërkesë të Afërditës me arsyetimin se muri më tepër i shërbente Apostolit për shkallën që ka për katin e dytë, sesa cënon truallin e tij në hapësirën para shtëpisë.

Aleko fillimisht e ka biseduar me Apostolin këtë cështje, por Apostoli nga ana e tij, i ka rikujtuar “marrëveshjen” e 2010 që ishte lidhur mes të dyve dhe që më tepër nuk përbënte kërcënim pronësor për Alekon ndërtimi i tij. Mirëpo përfshirja e Afërditës në konfliktet verbale mes saj dhe Apostolit para dhe gjatë procesit gjyqësor për diskutimin e këtij muri, ka acaruar mjaft situatën mes dy familjeve aq sa raportet u përkeqësuan mes të gjithë anëtarëve të familjeve të Alekos dhe Apostolit.

Ky i fundit kishte shpenzuar të holla për shkallën, murin dhe katin e dytë që shërbente si hapësirë e nevojshme për pjestarët e tjerë të familjes. Prishja e murit, nxirrte jashtë përdorimit, shfrytëzimin e kësaj hapësire të re pasi do të shembej edhe shkalla që ishte ndërtuar mbi të.

Shumë herë Apostoli, i pati kërkuar Alekos dhe të shoqes së tij, që mos të conte gjendjen deri në gjyqe sepse nuk ishte e udhës që pjesëtarë të një fisi, të diskutojnë një mur dhe të bëhen objekt konflikti. Mirëpo Aleko nuk ka qenë dakord dhe këtë cështje i’a ka lënë gjykatës cka i dha të drejtë për të spostuar në 25 cm në brendësi të territorit të Apostolit, murin rrethues cka do të thotë prishje e tij, prishje e shkallëve, sigurimin e një lejeje të re ndërtimi, gent plan inxhinierik, projekt nga e para, si dhe shumë veprime të tjera filelstare. Kjo për Apostolin ishte shkelje e besës mes tij dhe Alekos.

Duke qenë se Apostoli ka qenë kujdestar i shtëpisë së Alekos kur ky i fundit ishte në emigracion në Greqi për 20 vjet, shumë herë ai i’a kish përmendur këtë fakt në procese gjyqësore dhe para këtyre zhvillimeve. Dalja e urdhër-egzekutimit për prishjen e murit me vendim gjykate, acaroi mjaft Apostolin i cili ndërmori aktin ekstrem ndaj bashkëshortëve Kosta.

Të shtunën pritet të jepet masa e arrestit ndaj Apostol Kostës në dhomën e izolimit të pacitëve të arrestuar, në QSUT “Nënë Tereza” në kryeqytet, aty ku po mjekohet 73 vjecari pas tentativës për vetvrasje.

Gjykatësja, prokurori dhe avokati i caktuar nga shteti, do të udhëtojnë nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës, për të zhvilluar këtë seancë jashtë ambjenteve të gjykatës për arsyet që dihen. Pritet masa “burg pa afat” për Apostol Kostën por nuk dihet ende nëse ai do të kërkojë gjykim të shkurtuar apo dhe pranimin e autorësisë, cka ul në 1/3 e dënimit final nga ana e trupit gjykues.

 

dy.b/shqiptarja.com