TROPOJE- Një pistë e re është hedhur nga prokuroria e Tropojës, në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Partizani” të këtij qyteti ku një grua akuzohet se ka vrarë burri dhe të dashurin e saj.

Sipas prokurorisë, dyshohet se Manjola Dollapaj nuk e ka kryer vrasjen porse është vetëm personi që e ka marrë përsipër atë. Dyshohet se në skenën e krimit ka qenë i pranishëm edhe një person tjetër megjithatë organi i akuzës është duke pritur ekspertizën përfundimtare në lidhje me ngjarjen. Sipas hetimeve të deritanishme mësohet se shtetasi Eduart Dollapaj i cili punonte në hidrocentralin e Fierzës, është kthyer atë natë në banesë në mënyrë të papritur. Atij i kishte ndodhur një defekt në makinë ndërsa është kthyer në shtëpi për të marrë diçka që i nevojitej.

Kur ka hyrë në banesë, 34-vjeçari ka parë se aty ishte i pranishëm shtetasi Kaçanik Gjyriqi. I zoti i shtëpisë është përleshur me këtë person. Nga ana tjetër, personi që kishte hyrë në banesë pasi kryente mardhënie me shtetasen Manjola Dollapaj është vetëmbrojtur duke përdorur një thikë gjatë përleshjes në banesë. Pikërisht gjatë kësaj përleshje, ka ndodhur edhe vrasja e dy shtetasve. Ata janë qëlluar me Kallashnikov duke marrë nëntë plumba shtetasi Eduart Dollapaj dhe pesë plumba shtetasi Kaçanik Gjuriqi.

Besohet se vrasësi ka pasur për qëllim të ekzekutonte vetëm njërin prej personave por i ka vrarë të dy pasi ata ishin duke u përleshur me njëri tjetrin. Sipas hetimeve, dyshohet se në skenën e krimit implikohet një person tjetër pasi edhe Manjola Dollapaj është paraqitur në polici 3-4 orë pas ngjarjes duke pretenduar se ishte autore e krimit.
(sg/eq/shqiptarja.com)