TIRANE- Gjykata e Tiranës dha sot masën e arrestit burg për Artur Zeqirin të akuzuar si vrasës i 22 vjeçarit Sajmir Çedja. Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, Zeqiri tregoi se fillimisht ishte provokuar nga Sajmiri i cili e kishte goditur duke u mbrojtur

“U provokova nga Sajmiri. Ai më goditi i pari. Unë reagova duke u mbrojtur, ndërsa me vete kisha dhe një thikë”- ka treguar Zeqiri momente të vrasjes në autobusin e linjës “Uzina e Autotraktorëve-Qendër” më 23 shkurt.

Sajmiri jetonte në Shkozë dhe punonte në një parking në një biznes privat dhe pasditen e 23 shkurtit kishte hipur në stacionin e rrugës së Elbasanit për të shkuar në shtëpi.  Sherri ka nisur brenda në autobus, kur ai ndodhej në zonën e ish-Markatës të Vjetër në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet. Hetimet paraprake kanë nxjerrë si shkak një debat të çasti ndërmjet autorit dhe viktimës, ku në gjendje të dehur dy autorët kanë filluar të përdorin fjalor banal dhe fyerje në autobus çka ka sjell dhe ndërhyrjen e Sajmirit duke i kërkuar të tregohen të kujdesshëm.

Artur Zeqiri u arrestua një ditë më pas.

(sg/shqiptarja.com)