Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me akuzat e bëra ndaj tij se polici V.H i cili vrau një qytetarë sot në Gjilan, është pjesë e trupave mbrojtjes së tij duke thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe nuk ka njohje me policin.
Më anë të një reagimi në rrjetet sociale, Ramush Haradinaj shkruan se qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’u pengojë shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin e tij.
Reagimi i Haradinajt:
Qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’i pengoj shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin tim.Përkundër që ne e dënuam vrasjen e një qytetari nga ana e një polici, bëmë thirrje për organet e rendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe sqaruam që polici në fjalë, asnjëherë nuk ishte pjesë e ekipit tim të mbrojtjes së afërtë, disa mediume, të shtyrë nga propaganda e politikës së ndarjes, vazhdojnë ta etiketojnë dorasin si person të afërtë me emrin tim.As kjo përpjekje dhe as njollosjet e mëhershme dhe as të tjerat që mund të vijnë, nuk do të na ndalin, që në çfarëdo detyre institucionale, ta mbrojmë Kosovën nga copëtimi dhe nga pazaret e një grusht profiterësh.Kosova do të jetë ajo e 17 Shkurtit, për të cilën dhanë jetë luftëtarët tanë, sakrifikuan nënat dhe familjet tona, intelektualët tanë dhe çdo shqiptarë!