Tashmë e gjithë puna e policisë dhe prokurorisë është përqendruar tek arrestimi i personit të dytë që ka marrë pjesë në vrasje të Fatbardha Tafës. Për identitetin e tij është marrë në pyetje, i arrestuari Aldo Hoxha, por që në fakt ai deri në orët e mbrëmjes së djeshme s’ka pranuar të bashkëpunojë me efektivat e policisë së Tiranës. Ndërkohë që një person me inicialet J.B, mbahen i izoluar pasi mendohet se ka bashkëpunuar me Aldo Hoxhën.
KOMSHIU I GJANËS
Sipas burimeve të prokurorisë dhe policisë së Tiranës, i ndaluari Aldo Hoxha banon në të njëjtën lagje, ku banon dhe familja e të plagosurës Lumturie Gjana. Adresa e banimit të tij është në rrugën e Durrësit, pranë Doganës, vend në të cilin jeton dhe motra e Fatbardha Tafës, Lumturia.
Nisur nga kjo situatë, autori i krimit ka ndjekur për gjatë gjithë kohës dy gratë që kishin dalë për të bërë xhiron e darkës, dhe pikërisht teksa po afroheshin tek kompleksi i lodrave që ndodhen në shëtitoren tek ish-Fusha e Aviacionit, dy autorët kanë sulmuar Fatbardha Tafën, për t’i marrë varësen e floririt nga qafa. Teksa kanë hasur në rezistencën e saj, Aldo Hoxha ka qëlluar për vdekje 38- vjeçaren Tafa dhe plagosur lehtë dhe motrën e saj Lumturie Gjana. Për policinë e Tiranës Hoxha, njihet si kontingjent kriminal, pasi në vitin 2008 ai së bashku me shtetasin Dashamir Musa kanë tentuar të vjedhin banesën e shtetasit Urim Pulaha. Të dy ata janë arrestuar nga policia, por më pas janë shpallur të pafajshëm nga gjykata e Tiranës, me argumentin se prokuroria nuk ka përcaktuar se çfarë sendi do të grabisnin dy të pandehurit në shtëpinë e shtetasit Pulaha.
Ndërkohë që në vitin 2011 Aldo Hoxha është dënuar nga gjykata me 1 vit burg për akuzën e "Mbajtjes pa leje të armëve" dhe "Prishjes së qetësisë publike". Në muajin qershor të këtij viti ai është liruar nga burgu.
PRECEDENTI TEK AVIACIONI
Në datën 27 qershor 2011 rreth orës 22:30 në zonën e ish-fushës së Aviacionit ka ndodhur një konflikt (sherr), midis personave, banor të zonës ku është qëlluar edhe me armë zjarri. Për këtë ngjarje është njoftuar Komisariati i Policisë Nr.2 Tiranë. Policia e Shtetit ka identifikuar të pandehurin Aldo Hoxha si personi që mbante armë zjarri pa leje të organit kompetent dhe që kishte qëlluar me këtë armë në konfliktin e ndodhur në këtë zonë. Ky person dhe pikërisht i pandehuri Aldo Hoxha, është kapur nga shërbimet e Policisë së Shtetit, pasi ai ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Në ndjekje të personit, në momentin e kapjes nga punonjësit e policisë të komisariatit të policisë Nr. 6 Tiranë i është gjendur me vete dhe arma e zjarrit automatik "Kallashnikov" me Nr.12123817.
Në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja të cilat pas ekspertimit balistik kanë rezultuan gëzhoja kallashnikovi të cilat ishin qitur pikërisht nga arma e zjarrit kallashnikov që iu kap të pandehurit Aldo Hoxha, në momentin e arrestimit në flagrancë. Punonjësit e Policisë së Shtetit e kanë ndjekur në vijimësi të pandehurin Aldo Hoxha pa e shkëputur nga vëmendja dhe ka rezultuar që pasi ai nuk i është përgjigjur pozitivisht thirrjes për të ndaluar dhe për tu dorëzuar rreth 300 metra më tutje ka flakur armën e zjarrit, në afërsi të karburant "Elda". Gjatë hetimit të çështjes janë pyetur në cilësinë e deklaruesve shtetasit Erzen Avdiaj, dhe Arbër Meshi të cilët kanë deklaruar se janë grindur me të pandehurin Aldo Hoxha, por se nuk kanë parë momentin kur ai ka qëlluar në ajër me armë zjarri pasi ata ishin larguar nga vendi i ngjarjes para se i pandehuri të ishte pajisur me armë zjarri dhe më pas të qëllonte me të. Lidhur me këtë ngjarje Aldo Hoxha është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës.
(gm/Shqiptarja.com)