PROKURORIA: JA PROVAT TONA
Një kapele jeshile ushtarake, dhe hematomat në trup janë provat e pakontestueshme për prokurorinë për të vërtetuar se Aldo Hoxha, djaloshi 20 vjeçar është autor i vrasjes së Fatbardha Tafës dhe plagosjes së motrës së tij Lumturie Gjana. Pasditen e 7 gushtit, tek ish fusha e Aviacionit, kur dy motrat, së bashku me fëmijët kishin dalë për shëtitjen e mbrëmjes, dy djem të rinj, me motor, në tentativë për të grabitur varësen e floririt dhe çantën kanë hasur në rezistencën e dy motrave. Në këtë moment njëri prej tyre, siç pretendohet të jetë Aldo Hoxha, qëlloi me thikë duke lënë të vdekur Fatbardhën, dhe të plagosur Lumturien. Prokuroria thotë fëmijët kanë arritur t’i marrin autorit kapelen, ku janë gjetur dhe fije floku, dhe njolla gjaku. Nga analizat shkencore ishin vërtetuar se i përkisnin Aldo Hoxhës.
Gjithashtu fëmijët në tentativë për të mbrojtur nënat e tyre kanë qëlluar grabitësin me patina. Dhe prokuroria thotë se në trupin e Aldo janë gjetur hematoma, nga këto goditje. Tjetër provë është dhe dëshmia e motrës së plagosur.
ALDO: DUAN TE ME BEJNE KURBAN
Vetë Aldo Hoxha nuk pranon krimin. Ai ka deklaruar në gjykatë se “duan ta bëjnë kurban”, pasi njihej si kontingjent grabitjes.
ARRESTIMI I ALDOS NE BANESEN E XHAXHAIT
Prokuroria thotë se arrestimi i Aldo Hoxhës, 11 gusht, nuk ishte bërë në banesën e tij në Laprakë, por në banesën e xhaxhait, në fshatin Çekrez të Tiranës, Madje ai kishte tentuar të fshihej duke hyrë poshtë krevatit. Seanca nis rreth orës 11:00 pasi iu la kohë avokatit mbrojtës të njohej me dosjen. Vendimi u dha nga gjyqtari Neritan Cana. Prokuroria kërkoi masën e arrestit burg , ndërkohë që avokati kërkoi masën e sigurisë burg me afat.
Aldo Hoxha akuzohet për "Vrasje me dashje", "Grabitje me dhunë" dhe "Plagosje të lehtë me dashje".
FAMILJARET: DJALI IM NUK ËSHTË VRASËSI
Vetë Aldo Hoxha nuk ka dhënë asnjë deklaratë, ndërkohë që familjarët në një prononcim për TV A1 Report kanë deklaruar se djali I tyre nuk është vrasësi. Madje ato kanë një alibi për pasditen e 7 gushtit, kur dhe ndodhi vrasja. Sipas tyre Aldo ndodhej në shtëpi pasi po përgatitej për të shkuar në një dasëm. Nga ana tjetër e ema deklaron se policia nuk ka marrë kapelen në shtëpi por vetëm dy bluza.
(sg/shqiptarja.com)