TIRANE- Është 20 vjeçari Aldo Hoxha i dyshuari kryesor i vrasjes së Fatbardha Tafës, dhe plagosjes së motrës së saj në tentativën për t’i grabitur varësen e floririt dhe çantën. Dy motrat, Fatbardha Tafa, 38 vjeçe dhe Lumturie Gjana kishin dalë për të bërë xhiron e mbrëmjes në shëtitoren pranë ish- fushës së Aviacionit kur janë bërë pre e grabitjes nga dy të rinj të cilët lëviznin me motorçikletë.

Policia tashmë është e sigurt Aldo Hoxha autori i vrasjes. Prej 72 orësh ai mbahet nën vëzhgim, dhe policia është në pritje të firmosjes së urdhërarrestit nga prokuroria. Ndërkohë që 20 vjeçari ndodhet në banesën e tij, në zonën e Laprakës dhe survejohet nga policia. Policia po punon të sigurojë të gjitha provat shkencore që do të bindin prokurorinë për të lëshuar urdhërarrestin ndaj tij.

Burime nga policia bëjnë të ditur se për 72 orët e fundit, 20 vjeçari është marrë në pyetje intensive por nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje. Ai hesht.

Policia ka dërguar për ekspertizë në laborator një kapele me gjak, e cila sipas burime iu gjet të dyshuarit në banesën e tij. Analizat rezultuan se ka një përputhje mes këtyre njollave dhe grupit të gjakut të viktimës apo motrës së saj që mbeti e plagosur, atëherë kjo është prova kyçe.

Djaloshi nuk ka qenë i vetëm në kryerjen e krimit. Policia është vënë në kërkim të bashkëpunëtorit me të cilin u larguan nga vendi i ngjarjes menjëherë pasi qëlloi me thikë Fatbardhën. Në kërkim është dhe një person i dytë i cili mendohet se ka strehuar autorët në orët pas krimit.
(sg/shqiptarja.com)