Kosovë - Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Majac të Podujevës mbrëmjen e së dielës, ku një burrë 45-vjeç dhe një 73-vjeçare kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa edhe vetë autorja e dyshuar e ngjarjes ka ndërruar jetë në spital mëngjesin e kësaj të hëne.
Zëdhënësja për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Mirlinda Qyqalla tha për mediat në Kosovë se 31-vjeçarja nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
“Sipas njoftimit nga Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), 31 vjeçarja, Ardita Gashi ka ndërruar jetë pak më parë. Përkundër përpjekjes së stafit mjekësor për t’i ofruar trajtimin dhe ndihmën e duhur, nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve të rënda”, ka thënë Qyqalla.
Sipas mediave në Kosovë e reja Ardita Gashi pas vrasjes së 45-vjeçarit Iliaz Brahimi brenda një makine (i cili dyshohet se ishte i dashuri), më pas ka marrë peng nusen e xhaxhait të saj Miradije Gashi, duke e qëlluar atë dhe më pas veten.
Prokuroria Themelore në Prishtinë nisur hetimet ndërsa motivi i vrasjes mbetet ende i panjohur.
Komente










