Një ditë pasi festoi ditëlindjen 63-të, Vehap Cami i shkoi në shtëpinë dykatëshe vëllait të tij 68 vjeçar, Lulëzimit. Nusja e djalit u çoi kafe ku dy burrat ishin ulur në katin e parë, por akoma pa i pirë ato, Vehapi nxori pistoletën nga brezi dhe shtiu me një plumb vëllain. Pas pak minutash, kohën kur gratë e familjes së Lulëzimit vunë kujën, 63-vjeçari vret veten.

“Dëgjova teksa bërtisnin gratë kur i gjetën. Nuk i njohim. Vëllai nuk rri këtu me qira!”- Kështu u shpreh pronarja që ia ka dhënë me qira shtëpinë Lulzim Camit dhe familjes së tij, në rrugën 'Xhon Belushi' në zonën e Freskut të Tiranës, aty ku dhe ndodhi vrasja e dyfishtë.

Besohet se në fillim kanë debatuar verbalisht, dhe më pas ndodhi tragjedia. Për fat asnjë pjesëtarë tjetër i familjes, nuk u lëndua.

Të dy vëllezërit Cami me origjinë nga Tërbaçi i Bulqizë, pas viteve '90 ishin shpërngulur, në Tiranë. Vehapi jetonte në Farkë.

Në atë çfarë thuhet deri tani, dyshohet se midis dy vëllezërve prej vitesh ekzistonte një konflikt prone në fshatin e tyre, në Tërbaç, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Por në policinë e Bulqizës, Report Tv i thonë, se nuk ka asnjë denoncim, apo incident të regjistruar për mes palëve.

Të parët që po merren në pyetje janë familjarët në vendin e ngjarjes, aty ku dhe hetuesit besojnë të zbardhin shkakun e saktë që çoi deri në vrasjen e Lulzim dhe Vehap Camit.

Ndiqni lajmet të renditura sipas zhvillimeve. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:24
'Dëgjova gratë që bërtisnin! Flet pronarja e banesës ku vëllai vrau vëllanë më pas veten në zonën e Freskut

 

Pronarja e shtëpisë që i ka dhënë me qira banesën Lulëzimi Camit është shokuar nga vrasja që ndodhi sot

“Dëgjova teksa bërtisnin gratë kur i gjetën. Nuk i njohim. Vëllai nuk rri këtu!” tha ajo për gazetarët.

Vrasja ndodhi në në rrugën 'Xhon Belushi'në zonën e Freskut. Vehap Cami 63 vjeç ka qëlluar me armë zjarri duke lënë në vdekur vëllain e tij Lulëzim Cami, 68 vjeç dhe më pas ka vrarë veten.

Ora 09:20
Vëllai vret vëllanë më pas veten, zbardhet shkaku dhe detaje si ndodhi krimi i rëndë në Tiranë

Report Tv dhe Shqiptarja.com zbardhin shkakun e krimit të rëndë të ndodhur brenda në familjen Cami mëngjesin e sotëm në zonën e Freskut.

Dyshohet se përplasja ka qenë e hershme mes vëllezërve në banesë për shkak të pronave.

Gazetari ynë Sokol Dema, zbulon detaje të reja nga zhvillimi i ngjarjes. Viktima Lulëzim Cami jetonte në banesën ku ndodhi krimi ndërsa autori i ngjarjes Vehap Cami jetonte në Lundër.

Ky i fundit ka shkuar në banesën e Lulëzimit. 68 vjeçar dhe ka hyrë brenda. Burime bëjnë me dije se nuk kanë pasur debat përpara krimit, por ka nxjerr direkt pistoletën dhe ka qëlluar.

Në momentin që ka hyrë në banesë kanë qenë edhe familjarë të tjerë të Lulëzimit që fatmirësisht nuk janë lënduar.

Ora 08:30
EMRAT/ Krimi brenda familjes në Tiranë, kush janë dy vëllezërit që ndërruan jetë

Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në Tiranë në zonën e Freskut. Vëllai ka vrarë vëllanë e më pas vetën. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Vehap Cami ka qëlluar më vdekje ndaj vëllait të tij Lulëzim Cami, dhe më pas ka vrarë veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e Lulëzim Camit.