Ka dështuar ballafaqimi i dëshmitarit të drejtësisë, Luftar Reçi me Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin dhe të pandehurit e tjerë për vrasjen e Vajdim Lames dhe Klodian Saliut. Shkak për shtyrjen e seancës së sotme u bë mungesa e një prej anëtarëve të trupit gjykues të GJKKO-së, Etleva Deda e cila ndodhet e shtruar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore. Seanca e rradhës është caktuar për t’u mbajtur në orën 09:00 të datës 23 janar.

Luftar Reçi është një nga 7 të pandehurit e SPAK të cilët nën operacionin “asgjë nuk harrohet” janë dërguar në gjykatë si autorë të grupeve kriminale që ekzekutuan në 2005 Klodian Saliun, Vajdin Lamen dhe shtetasin Artan Arsi. Mes të pandehurve të cilët implikohen nga dëshmia e Luftar Reçit janë: Viktor Bajraktari (Imeraj),  Emiljano Shullazi, Indrit Taulla, Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Rusi  dhe vetë Luftar Reçi.

Në datë 9 janar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënoi me 3.6 vite burg Gentian Goskovën i njohur si "Reqi i Korçës" dhe me 2.4 vite Elton Kosovën, pasi tentuan të manipulojnë dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi. Ata akuzohen për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, Luftar Reçi, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme.