Vrasjet, krimi në familje, Psikologët:
Faji është edhe i situatës politike

Vrasjet, krimi në familje, Psikologët:<br />Faji është edhe i situatës politike
TIRANE - Vrasjet e shumta jo vetëm brenda në familje, por edhe rishfaqja e maskave nëpër rrugët tona, sherret e shumta, aksidentet, konfliktetet banale ku nuk ngurrohet të nxirret arma dhe t’i merret si pa të keq jeta tjetrit, kanë tërhequr edhe vëmendjen e  psikologëve. Ata rendisin një sërë shkaktarësh që mund t’i shtyjnë njerëzit drejt aktit makabër duke filluar që nga mentaliteti, kriza ekonomike, por ata thonw se edhe situata paszgjedhore ka krijuar shumë pasiguri duke prishur ekuilibrat e brishtë të mendjes njerëzore. Jorida Rustemi, Merita Poni dhe Entela Binjaku japin opinionet e tyre në një forum të “Shqiptarja.com” në lidhje me këtë situatë krimesh që po mbushin çdo ditë edicionet e lajmeve.    
 
JORIDA RUSTEMI

Unë mendoj se shtimi i vrasjeve, por jo vetëm, edhe dalja e maskave në rrugë, krimi në familje, vjedhjet, kërcënimet, lidhen me situtën e pastabilizuar politike. Kjo situata paszgjedhore, ku të gjithë kanë frikë se mos humbasin vendet e punës, ku polici nuk e di si të reagojë, pasi as ai nuk është i sigurtë për të ardhmen e tij, për vendin e tij të punës, bën që të gjitha konfliktet, plagët, mosmarrëveshjet, të majisen dhe të shpërthejnë më vrullshëm. Sigurisht nuk mund të lëmë pa përmendur si një ndër faktorët kryesorë në këtë shpërthim, edhe krizën ekonomike.

Vlen të theksohet që të gjithë këto raste të dhunës, nuk kanë lidhje me vapën, por është modeli ai që i çon drejt krimit. Një fjalë e urtë popullore “ujku mjegull do”, dhe unë mund të them që aktualisht po përjetojmë një situatë mjegullnaje që po nxjerr në sipërfaqe shumë krime. Nuk mund të lë pa përmendur vrasjen e 46-vjeçares, katër ditë më parë. Ai ishte një rast flagrant, ku krimi u krye në mes të rrugës dhe njerëzit bënë sehir.

Kjo njihet në mbarë psikologjinë si rasti i “dëshmitarit okular”, ku personat shikojnë, por nuk ndërhyrjnë, pasi kanë frikë se agresori mund të jetë më i fortë se ta dhe ata mund ta pwsojnw. Por nëse ndonjëri prej tyre do të kishte pasur kurajon dhe të ndërhynte, sigurisht që do të kishte edhe burra të tjerë nga ata që po shikonin ngjarjen, që do të ndërhynin. Dhe kjo njihet si lehtësimi social. Pikërisht për këtë kemi nevojë ne si shoqëri. Tw reagojmw!
 
ENTELA BINJAKU

Nuk ka ndonjë studim që të lidhë shkallën e kriminalitetit me temperaturat. Por ka studime të cila flasin për nxitje të agresivitetit ose të reagimeve mendore që vijnë si rezultat i ndikimit të veçorive të klimës. Dikush mund të reagojë me një agresivitet të skajshëm dhe fatal që vjen nga një lodhje nervore e atillë si rezultat i temperaturave të larta. Reagimi kriminal është individual, por ai ndëshkues është shoqëror.

Vetë shoqëria me qëndrimet që mban ndaj krimit dhe atij që kryen krimin tregon shkallën e vlerësimit të jetës së qytetarëve të saj. Vetë shoqëria me anë të mbështetjes për shtetin ligjor, me stimulimin e kulturës së ndëshkimit ndaj atyre që shkelin normat tona kulturore, me qëndrimet solidarizuese kundër shkelësve të ligjeve do të ndihmonte mjaft në uljen e këtyre rasteve.

Burimet e reagimeve agresive individuale që shkojnë deri në krim, duhen kërkuar tek natyra e tij si qenie shoqërore, tek respekti për jetën e tjetrit, tek respekti për ligjet dhe për normat e bashkëjetesës në komunitet. Nëse nuk punohet në këtë drejtim të njohjes për liritë dhe të drejtat, ku e drejta e jetës është themelore, shoqëria jonë do të vazhdojë të ketë probleme të rënda të krimit. Por nëse shoqëria nuk sheh shtetin të reagojë, përmes zbatimit të ligjeve, atëherë ajo do të vazhdojë të komunikojë raste të tjera dëshpëruese të kriminalitetit.
 
MERITA PONI

Sigurisht që vrasjet e shumta që po ndodhin ditët e fundit në vendin tonë, nuk kanë si shkak temperaturat e larta, por mentalitetin e shoqërisë sonë.   Këtë po e tregojnë më së miri edhe rastet e vrasjeve në familje që janë shënuar ditët e fundit. Burrat mendojnë se e kanë pronë gruan e tyre, dhe meqë e konsiderojnë pronë, mund të bëjnë çfarë të duan. Prandaj edhe nuk ngurojnë të vrasin. Këtu babai vret vajzën pse u kthye vonë, burri vret gruan se i kërkon divorcin, këtu gratë po i vrasin ata që në të vërtetë duhet t’i mbrojnë.

Pra, logjikisht babai duhet të të mbrojë, po ashtu edhe burri. Vapë kanë edhe burrat që jetojnë në vende të tjera të botës, por ata nuk i vrasin gratë dhe vajzat e tyre. Kjo sepse atje të dënon ligji, por të dënon edhe morali. Kurse këtu tek ne nuk ndodh kështu. Edhe nëse të dënon ligji, të përkrah morali. Babai që vret vajzën përgëzohet, pasi ajo nuk kishte sjellje të mirë, burri që vret gruan i shtrëngohet dora se ajo po e turpëronte...dhe nuk ka ligj, apo polic që të na mbrojë nga kjo e keqe.

Kjo gjë zgjidhet vetëm me ndërgjegjësim social, me reagim shoqëror. Që do të thotë nëse shikojmë komshiun që rreh gruan të denoncojmë, nëse dëgjojmë babain që u ulëret fëmijëve të denoncojmë. Vetëm me ndrëgjegjësim shoqëror ne mund të bëjmë diçka për veten dhe fëmijët tanë.  

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

I akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale e trafikim të narkotikëve në Itali, vihet në pranga 28-vjeçari! Ja momenti kur arrestohet (VIDEO)

I akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale e trafikim të narkotikëve në Itali, vihet në pranga 28-vjeçari! Ja momenti kur arrestohet (VIDEO)