TIRANE- Merren në pyetje familjarët e viktimave që janë ekzekutuar nga Julian Sinanaj me urdhër të sekserëve Mëhillaj. Ngjarja e eksplozivit në banesën e Andon Mëhillajt ka çuar prokurorinë tek familjet e Agron Çelës dhe Sokol Veizit, të cilët u ekzekutuan nga dora e Julian Sinanajt pas pagesës së bërë nga sekserët e shpallur në kërkim ndërkombëtar Andon dhe Genis Mëhillaj. Por nga dëshmitë nuk është konstatuar asnjë dyshim që mund të përfshij familjen Veizi dhe Çelaj në ngjarjen e së dielës mbrëma. Mësohet se nëna e Sokol Veizit ka rrëfyer se kushërinjtë Mëhillaj i kanë ardhur në banesë rreth dy javë para publikimit të “Mega operacionit” duke kërcënuar familjen.

Ajo tregon se djali i saj u vra vetëm për 800 metra tokë. Nazo Veizi tregon momentin kur, Genis Mëhillaj urdhëroi traktoristin të ndalonte punimet në tokën, për të cilën porositën vrasjen e djalit të saj. 16 muaj nga vrasja e Veizit, pjesa tjetër e familjes jeton nën terror. Gjyshja ka larguar vajzën nga shkolla. Shkaku i vetëm pse u vra Sokol Veizaj ishin 800 m tokë që familja e tij mori nga shteti. Kjo pjesë ndodhej në pronën e ish-pronarëve, që në këtë rast ishin kushërinjtë Mëhillaj.

Ata i kërkuan Veizajt vetëm një herë të mos e punonte atë tokë, herën e dytë urdhëruan vrasësin të kryente ekzekutimin. Ndërsa babai i Agron Çelës kërkon drejtësi për jetën e djalit të tij. Ai ka rrëfyer se Agroni e ka fituar çdo gjë me djersë dhe nuk ka pasur përleshje apo probleme me askënd. “Lekun e ka nxjerrë me djersë dhe punën e tij dhe djali im nuk ka pasur probleme me askënd. Kërkoj që të bëhet drejtësi dhe të arrestohen autorët e varjes së tij. Kam dëgjuar në media që kanë qenë kushërinjtë Mëhillaj ata që i kërkuar Julian Sinanajt që ta vriste. Të dënohen kriminelët”, - është shprehur babai i Çelës.

Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)