Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 33-vjeçarin Eduart Afmataj, i cili vrau me armë zjarri 48-vjeçarin Artur Cangu më 10 prill në fshatin Vrion, në Nikël të Fushë-Krujës. Afmataj u arrestua pa u mbushur 24 orë në zonën e Qafë Shtamës në një banesë të vjetër të braktisur.

Referuar dinamikës së krimit, burime për Report Tv, bënë të ditur se sherri kishte nisur për parkimin e automjetit. 48-vjeçari Artur Cangu kishte shkuar për vizitë në shtëpinë e prindërve të tij në fshatin Vrion dhe kishte parkuar makinën në rrugë.

Afmataj, i ka kërkuar ta lëvizë mjetin me pretendimin se i kishte zënë rrugën dhe pas debatit, dyshohet se ka marrë çiften duke e qëlluar për vdekje. Por konfliktet mes tyre ishin më të hershme, prej të paktën 2 vitesh, lidhur me pronësinë e një sipërfaqeje toke. 33-vjeçari Eduart Afmataj, ishte dhëndër në fisin e viktimës.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë