Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim çështjen e Ermalinda Ramës, 26-vjeçares që vitin e kaluar vrau babanë e saj, Anesti Ramën, duke e mbytur me tel.

Rama akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa nëna e saj, Valbona Rama për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.” Dënimi për 26-vjeçaren parashikon dënim nga 25 vite burg deri përjetë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 korrikut në Frashër të Patosit. Pas krimit në banesë, vajza bashkë me të ëmën, tentuan ta inskenonin ngjarjen si aksident. Ato u përpoqën ta vishnin viktimën si për varrim dhe më pas njoftuan policinë se ishte rrëzuar në tualet.

Dyshimet për vrasje u vërtetuan nga ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët konstatuan shenjat e dhunës. Pasi e kishte mbytur, Ermalinda Rama e kishte dhunuar kufomën e të atit duke e shkelmuar në pjesët intime. Sipas së resë, ai ishte fanatik dhe e mbante të mbyllur, por ka mohuar të jetë ngacmuar seksualisht prej tij.

Tri ditë pas ngjarjes, në pranga ra edhe Çlirim Dogani, një shofer 55-vjeçar autobusi dhe baba i dy fëmijëve pasi kishte krijuar një lidhje të fshehtë me Ermalinda Ramën. Megjithatë, ai mohoi përfshirjen në histori, ndonëse mendohet se ishte pikërisht kjo lidhje e së bijës që I kushtoi jetën Anesti Ramës.

Dëshmitë e fqinjëve dhe të afërmve kanë konsistuar në probleme të zgjatura në kohë të familjes. Sipas tyre, viktima jetonte prej kohësh i veçuar, flinte në kuzhinë, ndërsa gruaja dhe vajza në dhomat e tjera të banesës njëkatëshe. Shpesh ai shfaqej me shenja në fytyrë, por nuk kishte treguar kurrë për dhunën. Familja ka dhe një vajzë më të rritur, e cila është e martuar. Sakaq, Anesti Rama punonte në një fermë blegtorale në Patos, ndërsa gruaja dhe vajza ishin të papuna.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë