GREQI- Vrau 15 vite më parë në Greqi një bashkëemigrant, arrestohet dhe do të dënohet për vrasje shtetasi Rakip Koldashi.
  
I arrestuar më 13 Dhjetor 2013 në Tiranë, Koldashi akuzohet për vrasjen e shtetasit Besim Tafhasi, vrasje kjo e kryer me paramendim, sipas hetimeve të kryera nga organi i akuzës në kryeqytet.
 
Vrasja ka ndodhur në vitin 1999 në fshatin Sindos në Selanik të Greqisë, ndërsa në dëshminë e tij para hetuesve Koldashi ka pranuar vrasjen, por ka deklaruar se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojties. 
 
Ndërkohë, provat materiale dhe dëshmitë, të cilat administron organi i akuzës, nxjerrin në pah të kundërtën ku rezulton se Rakip Koldashi e ka kryer vrasjen me paramendim, akuzë për të cilën tashmë do të përballet me drejtësinë.
 
NGJARJA
Vrasja ka ndodhur në 31 Janar 1999 në fshatin Sindos, në Selanik të Greqisë. Një festë fejese e filluar me aheng dhe pije ka përfunduar në sherr për Besim Tafhasin dhe Rakip Koldashin.
 
Viktima Besim Tafhasi, i datëlindjes 1980, në vitin 1999 ishte prej pak kohësh emigrant në fshatin Sindos- Selanik , fshat ky i cili kishte emigrantë të ardhur kryesisht nga zonat e Dibrës dhe Kukësit.
 
Në fund të Janarit të vitit 1999, Besimi, së bashku me disa bashkëfshatarë të tij dhe të njohur të tjerë kanë qenë në të ashtuquajturën banesë të shtetasit D.Q. (stalla e shtetasit grek I. Kosta), për të festuar së bashku fejesën e këtij të fundit.

Gjatë pijes, viktima u provokua nga i pandehuri Rakip Koldashi, i cili i kërkoi Besimit të pijë sa të tjerët, gjë e cila është kundërshtuar qetësisht nga ky i fundit, duke thënë se ”kaq janë mundësitë”.
 
Por kundërshtimi, pavarësisht mënyrës, siç duket ka fyer të pandehurin, i cili ka qëlluar me shishe birre Besimin, por pa arritur ta godasë.
 
Tafhasi nuk ka reagur ndaj kësaj sjelljeje, e madje edhe e ka falenderuar Koldashin.
 
Pas kësaj, mes të rinjve ka patur grindje, e cila është shuar për momentin me ndërhyrjen e shokëve të Koldashit dhe Tafhasit. Por me sa duket, Koldashi nuk ishte qetësuar akoma. Të nesërmen e ngjarjes, rreth mbrëmjes, po në vendin e një nate më parë, pra në stallën e shtetasit grek I. Kosta, grupi i emigrantëve shqiptarë është mbledhur sërish. Mes tyre kanë qenë edhe Rakip Koldashi e Besim Tafhasi, të cilët nuk kanë komunikuar fare mes tyre.

Vetëm gjysmë ore më pas, viktima Besim Tafhasi është ngritur për të blerë një paketë cigare dhe ka ecur në këmbë tek dyqani, i cili ishte rreth 200-300 metra larg.
 Menjëherë pas tij është ngritur edhe Rakip Koldashi, i cili është larguar me motorr.
 
“Pas pak çastesh, ata që kishin mbetur në stallë kanë dëgjuar zhurma dhe menjëherë kanë dalë jashtë dhe rreth 100 metra më tutje kanë parë të pandehurin e viktimën, duke u zënë me njëri- tjetrin”, vërehet në Kërkesën për gjykimin e procedimit penal të Prokurorisë së Tiranës për çështjen në fjalë.
 
Rakipi, me thikë në dorë është larguar me të shpejtë me motorr në drejtim të paditur.
 
Shqiptarët që kanë mbërritur në vendngjarje kanë ndërhyrë dhe janë nisur së bashku me viktimën drejt sallës, por ky i fundit ka rënë në tokë.
 
Mbërritja e policisë dhe e ambulancës nuk ka mundur t’i shpëtojë jetën Tafhasit, pasi ai ndërkohë kishte vdekur.
 
Shkaku i vdekjes sipas ekspertizës ishte “hemoragjia vdekjeprurëse e brendshme dhe e jashtme, si pasojë e çarjes së mushkërisë së majtë pas traumës së çarjes me objektin prerës thikë”.

Ndërsa ekspertiza toksikologjike ka rezultuar negative përsa i përket substancave toksike.
 
Nga Prokuroria e Tiranës, “Nisur nga rrethanat e ngjarjes, vitin e largët të ndodhjes së saj dhe faktin se në shtetin grek për këtë ngjarje duhej të kish patur një procedim penal të filluar”, iu është kërkuar nëpërmjet letërporosisë ndihmë autoriteteve gjyqësore greke, të cilat kanë konfirmuar nëpërmjet përgjigjes si dhe materialeve të çështjes në fjalë të regjistruar më datë 31 Janar 1999.
 
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka filluar procedimin penal të vitit 2013 në ngarkim të të pandehurit më 01 Korrik 2013, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, Sektori Kundër Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, në një njoftim prej saj bëhet e ditur se ngjarja është qartësuar dhe shtetasi Koldashi do të dënohet për krimin e vrasjes me paramendim.

Redaksia Online
(
b.g/shqiptarja.com)