Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e 12 korrikut 2023 të Gjykatës së Apelit në Tiranë, e cila dënoi me burgim të përjetshëm Mexhit Picarin për vrasjen e dhëndrit të tij, Kudret Saliaj.
Sipas vendimit, çështja do të rigjykohet në Gjykatën e Apelit me një tjetër trupë gjykuese. Vendimi i Gjykatës së Lartë vjen pas rekursit të avokatit Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e ndodhur pranë Gjykatës Civile në Tiranë.
Në rekurs, Cama kërkonte që edhe Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit dhe ish-bashkëshortja e viktimës, të dënohej për bashkëpunim në vrasje.
Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Mexhit Picarin, ndërsa Dhurata Saliaj ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për veprën penale të krijimit të kushteve për kryerjen e vrasjes, duke rrëzuar akuzën për bashkëpunim në vrasje.
Ngjarja ndodhi më 4 qershor 2021, në një lokal pranë Gjykatës Civile në Tiranë. Sipas dosjes, Mexhit Picari qëlloi për vdekje Kudret Saliajn, pak minuta para seancës së pestë gjyqësore të procesit të divorcit mes këtij të fundit dhe Dhurata Saliajt. Gjatë ngjarjes mbeti i plagosur edhe avokati Adriatik Cama, i cili ndodhej në të njëjtën tavolinë me viktimën.
Sipas hetimeve, konflikti mes palëve lidhej me kujdestarinë e tre fëmijëve të çiftit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente




