TIRANË- Policia e Tiranës po verifikon vërtetësinë e deklaratave të 69-vjeçarit Maliq Marku i cili ekzekutoi me armë komshiun Shefqet Hasa, 69 vjeç, të enjten e 30 nëntorit, në Laknas dhe plagosi banorin e zonës I. K., 23 vjeç. Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari si autor, ka pretenduar para oficerëve të policisë së Tiranës se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt, dhe se viktima e i plagosuri e kishin ofenduar.

69-vjeçari para bluve ka konfirmuar debatin që ka patur me komshiun për gjurmën ku do të kalonin kanalizimet që po ndërtonte ujësjellësi. Sipas Maliq Markut, ai ka kërkuar të sqarohet me fqinjët por situata ka dalë nga kontrolli dhe në gjaknxehtësi e sipër, ai ka marrë armën që mbante pa leje në shtëpi dhe ka qëlluar ndaj tyre. Sipas policisë, autori pretendon se ka qëlluar për vetëmbrojtje dhe ka shprehur pendesë për veprimin.

Por burime nga policia bëjnë me dije se pretendimet e 69-vjeçarit po verifikohen pasi grupi i hetimit ka bindjen se qëllimi i tij ka qenë vrasja e të dyve, dhe se nuk ka vepruar thjesht për vetëmbrojtje.

Ekspertiza në vendin e ngjarjes, ka treguar se Maliq Marku, i ardhur pak kohë më parë nga jashtë shtetit, ka qëlluar me 6 plumba në total duke vrarë 69-vjeçarin Shefqet Hasa e duke rrezikuar seriozisht jetën e banorit tjetër të zonës Besim Keqa pas debatit që ka pasur me ta për kanalin që po ndërtohej në zonë.