TIRANË- Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Alban Menerin, i cili i mori jetën fqinjit të tij Nikolin Stakës, pasi e goditi me grushte. Përpara togave të zeza 51-vjeçari nuk e ka mohuar konfliktin, por është shprehur se ai ka qenë në gjendje të dehur. Por, ky pretendim i tij është hedhur poshtë nga akuza, pasi sipas prokurorisë nuk ka rezultuar se ai ka qenë i dehur kur është konfliktuar me viktimën.

Ngjarja ndodhi pasditen e 30 Korrikut në rrugën “Sulejman Pitarka” në kryeqytet, ku autori fillimisht po debatonte me një parukiere për një vend parikimi, të cilin pretendonte se kishte pronë të veten. Nga ballkoni i banesës përballë, ka ndërhyrë Nikolin Staka dhe i ka thënë: 'Çfarë bën, nuk të vjen zor që zihesh me gra', ndërsa Meneri iu kundërpërgjigj: 'Zbrit poshtë se ta tregoj unë'.

Staka ka zbritur për t'u përballur me Menerin, i cili e ka qëlluar me grushte në kokë e fytyrë dhe i ka ikur. Plagët e rënda i shkaktuan hemorragji dhe për pasojë ndërroi jetë në banesë, pasi nuk shkoi në spital të merrte mjekim, sepse jetonte vetëm. Nikolin Staka nga Laçi, me profesion mësues jetonte prej një muaji në Tiranë, ku kishte marrë banesë me qira. Më herë jetonte në Belgjikë.