Pas 5 orësh në arrati, policia ka arrestuar 32-vjeçarin Bertil Alliaj, i cili mbrëmjen e djeshme qëlloi për vdkeje me 5 plumba kushëririn e tij, Dalan Alliaj 36 vjeç. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:25 të mbrëmjes në rrugën përpara shtëpisë së autorit.
Bertil Alliaj u arrestua në malësinë e Gjormit nga ku ishte arratisur. Ai është dorëzuar pas thirrjeve të policisë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 32-vjeçari është marrë në pyetje përreth 1 orë, por nuk ka pranuar të tregojë arsyen e vërtetë të konfliktit që kishte me kushëririn e tij.
‘E vrava për një arsye të fortë që s’mund ta them, pasi i kisha thënë disa herë që duhet të reagonte. Ndoshta në një moment tjetër do të flas për arsyen, por ende nuk jam gati’, mësohet të ketë thënë Bertil Alliaj përpara togave të zeza.
Bertil Alliaj gjithashtu rezulton i shpallur në kërkim për masakrën e Çoles, ngjarje e ndodhur në vitin 2015, si dhe i dënuar në mungesë me 35 vite burgim.
Njoftimi i Policisë së Vlorës
Pas rreth 5 orësh kërkimesh intensive, me përdorimin edhe të dronit, Policia e Vlorës bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme.
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në fshatin Gjorm, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, nga kushëriri i tij, një 36-vjeçar.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar si e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me 10 fishekë.
32-vjeçari i vënë në pranga, person në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar me 35 vite burg për vrasje.
Pas marrjes së njoftimit nga familjarët se në fshatin Gjorm ishte gjetur pa shenja jete shtetasi D. A., 36 vjeç, banues në Fier, të cilit gjatë këqyrjes i janë konstatuar plagë të shkaktuara me armë zjarri, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, u ngrit një grup hetimor me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, i përbërë nga specialistë të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe ekspertë kriminalistikë.
Falë veprimeve hetimore të shpejta dhe profesionale, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Bertil Alliaj, 32 vjeç, banues në fshatin Gjorm, Selenicë, i cili pas ngjarjes ishte larguar në zonën malore përreth. Menjëherë shërbimet e DVP Vlorë u organizuan dhe nisën kërkimet për kapjen e tij.
Falë kontrolleve intensive të shtrira gjatë gjithë natës dhe përdorimit të dronit për krehjen e zonës, rreth orës 01:05 të mëngjesit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bertil Alliaj, pasi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, në rrugën përpara banesës së tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.
Gjatë kontrollit fizik të autorit, iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Beretta FS92”, e dyshuar si arma e përdorur në këtë ngjarje, së bashku me një krehër dhe 10 fishekë.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale 6 gëzhoja dhe 1 predhë arme zjarri.
Shtetasi Bertil Alliaj rezulton gjithashtu person në kërkim, menjëherë pas kapjes së tij, u ekzekutua edhe vendimi i datës 20.01.2016, i Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila e ka dënuar me 35 vite burg për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Lajmi kryesor:
Vlorë/ Pas 5 orësh arrati, arrestohet i riu që vrau kushëririn! Dëshmia: S'jam gati të tregoj arsyen! I dënuar në mungesë edhe për masakrën e Çoles








