Artan Koçeku, njeriu që ekzekutoi me 10 plumba Angjelin Shkambin në dhjetor 2017 është lënë në burg nga Gjykata e Shkodrës. Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Izabela Radovani dha ditën e sotme masën e sigurisë 'arrest me burg' për Koçekun.
Koçeku ra në prangat e policisë 3 ditë më parë. Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip pistoletë.
Artan Koçeku në 2017 kishte përfituar një leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për një vjedhje me armë të ndodhur në vitin 2013.
Pas përfundimit të lejes, Koçeku jo vetëm që nuk u paraqit burg për të vijuar pjesën e mbetur të dënimit, por në 17 dhjetor vrau me armë zjarri shokun e tij Angjelin Shkambi 35-vjeç për një borxh të vjetër prej 40 mijë eurosh.